Dëbim nga Kosova dhe 700 euro gjobë, Themelorja vendos për të ndalurit në Gazimestan
Sot para trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Prishtinë dolën të akuzuarit për veprën “Shkaktim i trazirave dhe rrezikim i rendit dhe qetësisë publike”.
36 serbët e akuzuar në këtë rast u paraqitën para trupit gjykues ku edhe është marrë vendimi.
Trupi gjykues mori vendim që të akuzuarit të dëbohen për tre vjet nga Kosova dhe të gjobiten me 700 euro gjobë për kundërvajtje.
Gjatë shënimit të Vidovdanit në Gazimestan, afër Prishtinës, më 28 qershor, Policia e Kosovës ndaloi 37 persona, me arsyetimin se ata “provokuan masën duke brohoritur parulla provokuese me elemente të nxitjes së urrejtjes”.
Një personi iu shqiptua gjobë, ndërsa 36 të tjerët u proceduan para gjykatës, por nuk u mbajtën në paraburgim.
Ndryshe serbët nga Kosova, nga Serbia dhe vendet e rajonit tradicionalisht mblidhen çdo 28 qershor në Gazimestan, për të përkujtuar Betejën e Kosovës, përkatësisht betejën kundër osmanëve më 1389.
Në hyrje të Gazimestanit, Policia e Kosovës u shpërndau vizitorëve një njoftim ku thuhej se nuk do të tolerohet “mbajtja dhe shfaqja e simboleve të ndryshme që përfaqësojnë ose nxisin urrejtje ndëretnike, fetare ose politike”.
Disa nga të pranishmit brohoritën “Kosova është Serbi” dhe kënduan këngë kushtuar Kosovës dhe Vidovdanit.
Policia e Kosovës ka iniciuar së fundi një rast për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, pas dyshimeve se një shtetas i Serbisë ka publikuar një video me përmbajtje që nxit urrejtje gjatë manifestimit të mbajtur në Gazimestan.
Sipas Policisë, më 30 qershor 2026, nga inteligjenca është pranuar informacion se i dyshuari, gjatë manifestimit të 28 qershorit në Mazgit të Obiliqit, ka realizuar dhe publikuar një video me përmbajtje që dyshohet se nxit urrejtje.
Në konsultim me prokurorin kompetent, është iniciuar rasti, ndërsa verifikimet kanë treguar se i dyshuari kishte dalë nga Kosova më 28 qershor përmes pikëkalimit kufitar në Jarinjë.
Lidhur me rastin, hetimet janë duke vazhduar. /Lajmi.net