I moshuari në Elbasan dyshohet se ia vuri flakën gruas për motive xhelozie
Foto: Ilustrim

I moshuari në Elbasan dyshohet se ia vuri flakën gruas për motive xhelozie

Kronika June 23, 2026 - 15:29

Detaje rrëqethëse janë zbuluar rreth ngjarjes së rëndë të regjistruar në fshatin Karkavec, në Njësinë Administrative Qukës të bashkisë së Prrenjasit.

Autori 69-vjeçar, i cili u arrestua nga policia, dyshohet se ka tentuar të djegë të gjallë me benzinë bashkëshorten e tij, shtetasen Minushe Danga, 67 vjeçe.

Nga informacionet e fundit, mësohet se ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e së hënës në banesën e çiftit të moshuar, të cilët jetonin vetëm, pasi djali i tyre ndodhet si emigrant në Greqi.

Dinamika e ngjarjes dhe motivi

Burime të NOA.al bëjnë me dije se konflikti i ashpër ka nisur për motive xhelozie. Autori, i cili ndodhej në gjendje të dehur, fillimisht ka ushtruar dhunë të ashpër psikologjike dhe fizike ndaj 67-vjeçares. Më pas, ai i ka marrë me forcë telefonin celular dhe, në kulmin e sherrit, e ka lyer me benzinë duke i vënë flakën.

Hetimet e policisë kanë zbuluar se kjo nuk ishte hera e parë që në këtë familje ushtrohej dhunë.

Konfliktet dhe dhuna fizike kishin qenë të vazhdueshme prej kohësh, madje viktima kishte qenë e pajisur me urdhër mbrojtjeje përgjatë tre muajve të fundit. Policia ndërhyri në kohë dhe vuri në pranga 69-vjeçarin pas denoncimit të bërë nga fqinjët e tmerruar të çiftit.

Gjendja shëndetësore e viktimës

Menjëherë pas ngjarjes, e moshuara është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Elbasanit. Pasi mori ndihmën e parë mjekësore, për shkak të plagëve të marra, ajo u dërgua mbrëmjen e djeshme drejt QSUT-së në Tiranë, e shtruar në repartin e djegie-plastikës. Burimet spitalore konfirmojnë paraprakisht se, pavarësisht dëmtimeve të rënda, ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po vijon punën në terren për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të ngjarjes, ndërsa materialet do t’i kalojnë Prokurorisë për caktimin e veprave specifike penale që do të rëndojnë mbi 69-vjeçarin.