“Nga mikseri i kamionit është shkëputur një gyp”, detaje nga vdekja e 25 vjeçarit në Prizren
Një 25 vjeçar ka humbu jetën në vendin e punës gjatë kohës sa ishte duke u vendosur betoni në njërën nga ndërtesat në lagjen Arbana ne Prizren. E gjithë kjo dyshohet se ndodhi pas shkëputjes së një gypit nga mikseri i kamionit ku i riu u godit për vdekje. Për këtë rast, Prokuroria ka ndaluar për 48 orë një person.
Puna u ndal paraditen e së hënës në këtë vend-punishte në Prizren.
Kjo meqë rreth orës 9:00 këtu ndodhi një ngjarje e rëndë.
Si pasojë e një incidenti, njëri nga punëtorët, humbi jetën në vendin e punës.
E gjitha tragjedia në lagjen “Arbana” dyshohet se ndodhi gjatë kohës kur po vendosej betoni në këtë ndërtesë.
Sipas dëshmive të cilat dëshmitarët i kanë dhënë në Policinë e Kosovës, viktima dyshohet se është goditur nga një pajisje pune gjatë kohës së betonimit, dhe me ç’rast ka pësuar lëndime fatale dhe ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Për këtë rast, nga Policia e Prizrenit, thonë se u njoftuan para orës 9:00.
Ndërsa, 25- vjeçari ishte dërguar në Qendrën Mjekësore të Lagjes Arbana në Prizren.
“Sipas informatave të para, derisa ka qenë duke punuar një pjesë, pajisje e betonimit, pompës së betonimit e ka goditur viktimën dhe si pasojë e lëndimeve të marra viktima ka humbur jetën ne vendin e ngjarjes. Policia menjëherë ka informuar Prokurorinë e Shtetit dhe Inspektoratin e Punës dhe po ndërmerren të gjitha masat që të zbardhet rasti”, ka thënë Shaqir Bytyqi nga Policia në Prizren.
E hetimet për këtë rast thotë se i ka nisur Prokuroria Themelore në Prizren.
“Sipas informatave fillestare, viktima, i lindur në vitin 2001, dyshohet se ka humbur jetën gjatë procesit të zbrazjes së betonit, kur nga mikseri i kamionit është shkëputur një gyp, i cili e ka goditur atë.Lidhur me rastin, deri më tani është ndaluar një person për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës” nga neni 358 sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet nga Prokuroria.
Nga Prokuroria, po ashtu kanë bërë të ditur se janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.