Vdekja e punëtorit 26-vjeçar në Prizren, Policia jep detaje
Foto: Zëri / Ilustrim

Vdekja e punëtorit 26-vjeçar në Prizren, Policia jep detaje

Kronika June 22, 2026 - 12:32

Një 26-vjeçar ka humbur jetën mëngjesin e sotëm në një vendpunishte në lagjen “Arbana” në Prizren.

Lajmin për “Zërin” e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

Sipas Bytyqit, dyshohet se viktima, derisa ishte duke punuar në një objekt ndërtimi, gjatë procesit të betonimit është goditur nga një pjesë e pajisjes së punës, me ç’rast ka pësuar lëndime fatale dhe ka humbur jetën në vendin e ngjarjes.

“Sot, më datë 22.06.2026, rreth orës 09:00, Policia ka pranuar informatën se në ambulancën e lagjes ‘Arbana’ në Prizren është dërguar pa shenja jete një person mashkull, rreth 26 vjeç. Njësitë policore kanë dalë menjëherë në Emergjencë dhe në vendin e ngjarjes. Sipas informatave fillestare të siguruara nga dëshmitarët, dyshohet se viktima, derisa ishte duke punuar në një objekt ndërtimi, gjatë procesit të betonimit është goditur nga një pjesë e pajisjes së punës, me ç’rast ka pësuar lëndime fatale dhe ka humbur jetën në vendin e ngjarjes”, ka treguar Bytyqi.

Ai ka thënë se janë duke u bërë të gjitha hetimet e nevojshme me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave, përderisa nuk ka treguar nëse ka ndonjë të arrestuar.

“Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar, si dhe Inspektorati i Punës. Në koordinim me ta, policia është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit”, tregoi Bytyqi. /Zëri