Policia jep detaje për rastin në Maliq të Shqipërisë, ku u vra një polic dhe një tjetër u plagos

Policia jep detaje për rastin në Maliq të Shqipërisë, ku u vra një polic dhe një tjetër u plagos

Kronika June 04, 2026 - 09:31

Një efektiv i Policisë së Shtetit ka humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur mëngjesin e së enjtes gjatë një operacioni për kapjen e një personi në kërkim në zonën e Lozhanit, në malin Boden të Bashkisë Maliq në Shqipëri.

Sipas Policisë së Shtetit, ngjarja ndodhi rreth orës 07:30, kur shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Komisariatit të Policisë Maliq dhe Komisariatit të Policisë Korçë kishin rrethuar vendin ku dyshohej se fshihej 43-vjeçari Violand Braçellari, një person i shpallur në kërkim dhe i konsideruar me rrezikshmëri të lartë.

Policia njofton se pas thirrjeve për t’u dorëzuar, Braçellari ka refuzuar t’i bindet urdhrave dhe ka hapur zjarr ndaj efektivëve të Policisë.

Si pasojë e të shtënave, ka humbur jetën në krye të detyrës inspektori E.M., 34 vjeç, ndërsa është plagosur inspektori E.A., 36 vjeç. Të dy ishin pjesë e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Korçë.

Për neutralizimin e sulmit, forcat e Policisë iu kundërpërgjigjën me armë zjarri. Gjatë shkëmbimit të zjarrit mbeti i plagosur edhe vetë i kërkuari, Violand Braçellari, i cili më pas u arrestua.

Në vendngjarje është nisur edhe helikopteri i shëndetësisë për transportimin e të plagosurve.

Sipas autoriteteve, Braçellari ishte dënuar në vitin 2017 nga Gjykata e Korçës me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burg për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Ndërkohë, ndaj tij ishte caktuar edhe masa e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes së rëndë. /Zëri