Apeli kthen në rigjykim rastin ndaj Murat Dernjanit, i dënuar nga Themelorja me 20 vjet burgim për krime kundër njerëzimit
Gjykata e Apelit ka kthyer në rigjykim rastin ndaj të akuzuarit për krime kundër njerëzimit Murat Dernjani, i cili ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 20 vjet burgim.
Themelorja më 4 korrik 2025 kishte shpallur aktgjykim dënues kundër të akuzuarit Dernjani, duke konstatuar se i akuzuari ka kryer krime që bien ndesh me normat e së drejtës ndërkombëtare humanitare, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kundër aktgjykimit të Themelores ankesë kishte parashtruar mbrojtësi i Dernjanit, avokati Murat Demolli, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së Ligjit Penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, dhe vendimit mbi sanksionin penal, me propozim që Gjykata e Apelit të kthejë çështjen në rivendosje ose të ndryshojë aktgjykimin duke liruar të akuzuarin nga akuza.
Kurse Prokuroria Speciale përmes përgjigjes në ankesë kishte kërkuar që aktgjykimi të vërtetohet. Njëjtë kërkoi edhe Prokuroria e Apelit përmes parashtresës, duke kërkuar po ashtu të refuzohet ankesa e mbrojtjes.
Andaj, Apeli përmes vendimit të përpiluar më 30 prill 2026, ka aprovuar ankesën e mbrojtjes dhe sipas detyrës zyrtare ka anuluar aktgjykimin e Themelores, duke kthyer çështjen në rigjykim. Vendimi është marrë nga kolegji i gjyqtarëve i përbërë nga Vaton Durguti - kryetar, Valon Kurtaj dhe Avni Mehmeti - anëtarë.