Detaje nga rasti në Ferizaj, 21-vjeçarja dyshohet se lindi fshehurazi dhe u gjet në tualet duke e mbytur foshnjën
Detaje të reja janë bërë të ditura lidhur me rastin e rëndë të ndodhur në Emergjencën e Ferizajt, ku dyshohet se një nënë ka privuar nga jeta foshnjën e saj të porsalindur.
Sipas burimeve të Klan Kosovës, fillimisht ishte paraqitur në Emergjencë me dhimbje barku, duke mos deklaruar se ishte shtatzënë.
“Gruaja ka shku në Emergjencë me dhimbje barku, s’ka tregu që është shtatzënë, ka shkua në tualet e ka lind foshnjën, stafi ka dëgju ujin e WC-së disa herë edhe kanë hy në tulet me shikua a është mirë, e kanë gjetë foshnjën në tualet ajo tu dashtë me mbyt”, tha burimi.
Sipas të njëjtave burime, gjatë kontrollit në tualet, nga ana e punonjësve shëndetësorë, aty është gjetur foshnja, ndërsa dyshohet se ajo ka pasur edhe shenja të ngufatjes.
“Ajo kur ka shku se në Emergjence i pysin për shtatzani, ka thanë menstruacionet para një jave, edhe ka deklaru që nuk e di, plus foshnja ka shenja ngufatje”, bëri tutje të ditur burimi për gazetaren Uka.
Njëherësh, në raportin 24-orësh të Policisë është bërë e ditur se, rasti është cilësuar si “Vrasje e foshnjës gjatë lindjes”, teksa me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i foshnjës është dërguar për obduksion, ndërsa rasti po trajtohet në procedurë të rregullt hetimore.
Po ashtu, e dyshuara aktualisht po qëndron në Repartin e Gjinekologjisë në Spitalin e Ferizajt për shkak të gjendjes së saj shëndetësore.