Aksion i madh në Prishtinë, Fushë-Kosovë e Obiliq - dyshime për korrupsion, ryshfet dhe falsifikim pronash
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, është duke zhvilluar dy aksione të ndara në disa lokacione në Prishtinë, Fushë-Kosovë dhe Obiliq.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, aksionet po realizohen me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe përfshijnë bastisjen e pesë zyrtarëve dhe dy qytetarëve, të dyshuar për përfshirje në disa vepra penale, duke përfshirë keqpërdorim të pozitës zyrtare, marrje dhe dhënie ryshfeti, mashtrim, keqpërdorim të informatës zyrtare, si dhe legalizim të përmbajtjes së rreme, transmeton Zeri.info.
Sipas dyshimeve fillestare të hetimit, të dyshuarit dyshohet se në bashkëveprim kanë realizuar përfitime të kundërligjshme pasurore përmes falsifikimit të dokumenteve pronësore dhe ndryshimit të paligjshëm të pronarëve të pronave.
Po ashtu, pesë personat zyrtarë dyshohen se kanë tejkaluar kompetencat e tyre ligjore duke keqpërdorur pozitën zyrtare për të mundësuar përfitime të kundërligjshme.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me institucionet relevante, do të vazhdojë ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore në kuadër të luftimit të korrupsionit dhe kriminalitetit. /Zëri