Theret për vdekje një person në Gjakovë, i dyshuari në arrati
Foto: Zëri / Ilustrim

Theret për vdekje një person në Gjakovë, i dyshuari në arrati

Kronika May 05, 2026 - 08:48

Një person ka vdekur në spitalin e Gjakovës, pas plagëve që ka marrë nga një mjet i mprehtë.

Këtë e ka konfirmuar për “Zërin” zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, i cili bëri të ditur se ngjarja ka ndodhur në rrugën “Mbretëresha Teutë” pas orës 02:00 të natës.

Sipas Elezajt, deri tek incidenti ka ardhur si pasojë e një mosmarrëveshjeje, përderisa theksoi se i dyshuari gjendet në arrati.

“Sot në orët e hershme të mëngjesit jemi njoftuar se një person i moshës madhore është dërguar për trajtim mjekësor si pasojë e lëndimeve të shkaktuara nga një mjet i mprehtë. Fillimisht ishte dërguar në QKMF dhe më pas në Spitalin e Përgjithshëm në Gjakovë, ku edhe ka ndërruar jetë. Bazuar në hetimet fillestare dyshohet se rreth orës 02:20 pas një mosmarrëveshje në rrugën "Mbretëresha Teutë" në Gjakovë, viktima është sulmuar nga një person, po ashtu i moshës madhore, i cili ndodhet në arrati”, ka treguar Elezaj për Zeri.info.

Elezaj ka thënë se ky rast është duke u cilësuar si vrasje, përderisa ka theksuar se janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti.

“Njësitë kompetente policore menjëherë kanë dalë ne vendin e ngjarjes dhe, në konsultim me Prokurorin e Shtetit, është iniciuar rast "vrasje". Aktualisht janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme operative dhe hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit”, theksoi Elezaj. /Zëri