Policia apel qytetarëve: Kujdes nga mashtrimet dhe keqpërdorimet e llogarive bankare!

Policia apel qytetarëve: Kujdes nga mashtrimet dhe keqpërdorimet e llogarive bankare!

Kronika May 05, 2026 - 11:23

Policia e Kosovës ka ngritur alarmin për një rritje të rasteve të mashtrimeve dhe keqpërdorimeve të llogarive bankare, duke u bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar.

Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale në Mitrovicën e Jugut, mashtrimet po realizohen përmes formave të ndryshme të komunikimit, përfshirë mesazhe SMS, thirrje telefonike dhe platforma online. Personat e dyshuar paraqiten rrejshëm në emër të institucioneve financiare apo kompanive të ndryshme dhe kërkojnë të dhëna sensitive, si numri i kartelës bankare, kodet e sigurisë apo fjalëkalimet, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm, transmeton Zeri.info.

Autoritetet bëjnë të ditur se disa prej mesazheve mashtruese përmbajnë edhe lidhje (linke) që në pamje të parë duken si faqe zyrtare, duke përdorur formulime alarmuese si “llogaria juaj do të pezullohet” ose “verifikoni të dhënat për të shmangur bllokimin”.

Policia u bën apel qytetarëve që:

Të mos ndajnë me askënd të dhënat personale dhe bankare;

Të shmangin hapjen e linkeve të dyshimta të pranuara përmes SMS apo e-mailit;

Të verifikojnë çdo komunikim të dyshimtë drejtpërdrejt me institucionet përkatëse;

Të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshimtë në Polici.

Policia e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe hetimin e këtyre veprave penale, duke kërkuar bashkëpunim të vazhdueshëm nga qytetarët për rritjen e sigurisë dhe parandalimin e mashtrimeve. /Zëri