Zvicra shënon ditën më të nxehtë të qershorit në histori, termometri arrin në 38 gradë Celsius
Zvicra ka regjistruar temperaturën më të lartë të matur ndonjëherë gjatë muajit qershor. Të enjten termometri arriti në 38 gradë Celsius në Bazel, duke thyer rekordin e mëparshëm prej 36.9 gradësh, i vendosur në vitin 1947.
Sipas MeteoSwiss, për herë të parë në histori temperaturat në Zvicër kanë kaluar kufirin e 37 gradëve gjatë muajit qershor, raporton albinfo.ch, transmeton klankosova.tv.
Shërbimi meteorologjik theksoi se rekordi i ri u regjistrua pikërisht në stacionin meteorologjik të Bazelit, i njëjti vend ku ishte shënuar edhe rekordi i vitit 1947.
Për shkak të valës ekstreme të të nxehtit, niveli më i lartë i alarmit për vapë vazhdon të jetë në fuqi në pjesën më të madhe të Zvicrës.
Meteorologët u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin e gjatë në diell, të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe të tregojnë kujdes të veçantë ndaj fëmijëve, të moshuarve dhe personave me probleme shëndetësore. /Albinfo.ch