Shënohet rasti i parë i eutanazisë për një fëmijë nën 12 vjeç në Holandë

Shënohet rasti i parë i eutanazisë për një fëmijë nën 12 vjeç në Holandë

Bota June 24, 2026 - 13:41

Për herë të parë që nga ndryshimi i ligjit në Holandë, një fëmijë nën moshën 12 vjeç ka vdekur pas eutanazisë.

Vdekja e fëmijës u konfirmua nga ministrja e shëndetësisë e vendit, Sophie Hermans, gjatë prezantimit në parlament të raportit vjetor të komitetit që shqyrton të gjitha abortet e vonshme dhe vdekjet e asistuara mjekësisht të fëmijëve, shkruan Daily Mail, transmeton Klankosova.tv.

Sipas raportit, fëmija ishte nën 12 vjeç dhe vuante nga një sëmundje e rëndë, por nuk janë dhënë detaje të tjera. Eutanazia për fëmijët e sëmurë terminalisht nga mosha 1 deri në 12 vjeç është legalizuar në Holandë prej dy vitesh. Më parë, ligji lejonte vetëm eutanazinë për të sapolindurit dhe për personat mbi 12 vjeç.

Sipas ligjit holandez, prindërit duhet të konsultohen, fëmija duhet të jetë në gjendje vuajtjeje të padurueshme dhe nuk duhet të ketë asnjë mundësi shërimi.

Rasti i vdekjes së këtij fëmije i është referuar prokurorisë publike, e cila do të vendosë nëse mjekët kanë zbatuar rregullat për eutanazinë.