Mbi 230 të vdekur dhe rreth 50 mijë të zhdukur pas dy tërmeteve shkatërruese në Venezuelë

Mbi 230 të vdekur dhe rreth 50 mijë të zhdukur pas dy tërmeteve shkatërruese në Venezuelë

Bota June 26, 2026 - 11:22

Të paktën 235 persona kanë humbur jetën, ndërsa rreth 50 mijë të tjerë janë raportuar të zhdukur pas dy tërmeteve të fuqishme që goditën Venezuelën. Autoritetet dhe ekspertët paralajmërojnë se numri i viktimave pritet të rritet ndjeshëm, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë operacionet në zonat më të goditura.

Dy tërmetet, me magnitudë 7.2 dhe 7.5, goditën vendin brenda pak sekondash nga njëri-tjetri, duke shkaktuar shembjen e dhjetëra ndërtesave, dëmtime të rënda në infrastrukturë dhe mbylljen e aeroportit kryesor të vendit. Sipas autoriteteve, rreth 200 persona besohet se janë ende të bllokuar nën rrënoja, transmeton Zeri.info.

Familjarët e mijëra personave të zhdukur kanë nisur të publikojnë fotografi të të afërmve në platforma të posaçme për persona të zhdukur, ndërsa numri i raportimeve vazhdon të rritet.

Operacionet e shpëtimit po zhvillohen në kushte të vështira për shkak të dëmtimeve në rrugë, ndërprerjeve të komunikimeve dhe pasgoditjeve.

Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara kanë bërë thirrje për një mobilizim të gjerë ndërkombëtar, duke theksuar se vendi përballej me një krizë të rëndë humanitare edhe para fatkeqësisë natyrore. Ndërkohë, disa shtete kanë nisur dërgimin e ekipeve të shpëtimit dhe ndihmave emergjente për Venezuelën. /Zëri