Begaj përkujton 25-vjetorin e 11 shtatorit: Nderim për 2.977 viktimat
Foto: Laura Hasani

Begaj përkujton 25-vjetorin e 11 shtatorit: Nderim për 2.977 viktimat

Aktuale September 11, 2026 - 11:10

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka përkujtuar 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke nderuar kujtimin e 2,977 viktimave që humbën jetën.

Përmes një postimi në Facebook, Begaj ka shprehur ngushëllime dhe solidaritet me familjet dhe të afërmit e viktimave.

“Sot, në këtë 25-vjetor të sulmeve të 11 shtatorit ndaj SHBA-ve, ne nderojmë kujtimin e 2,977 viktimave të pafajshme që humbën jetët e tyre, si dhe shprehim ngushëllimet dhe solidaritetin tonë me familjet e të dashurit e tyre”, ka shkruar Begaj.

Ai ka theksuar se, edhe pas një çerek shekulli, 11 shtatori mbetet një kujtesë kolektive për Amerikën, Shqipërinë dhe aleatët që ndajnë të njëjtat vlera.

“11 shtatori është aty si një kujtesë kolektive që ka riformësuar jetët tona me dëshminë se ideologjitë urrejtëse sjellin pasoja të tmerrshme”, ka thënë Begaj.

Presidenti shqiptar ka vlerësuar qëndrueshmërinë e Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se gjatë këtyre viteve “Amerika, ky komb i madh e i fortë, i tregoi botës se nuk mposhtet nga asgjë”.

Në fund, Begaj ka rikonfirmuar angazhimin për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ndërtimin e një bote më të sigurt e më paqësore për brezat e ardhshëm.