Prokuroria publikon incizime të Thaçit: “Thuaj shkurt, po, jo”

Prokuroria publikon incizime të Thaçit: “Thuaj shkurt, po, jo”

Aktuale September 10, 2026 - 12:34

Prokurori i specializuar, Joshua Hafetz, më pas paraqiti edhe pjesë të incizimeve mes Thaçit dhe të bashkakuzuarve të tjerë, duke e akuzuar mbrojtjen se po tenton “t’i bishtnojë” provat, që sipas tij kanë peshë të madhe.

Joshua Hafetz gjatë seancës së 10 shtatorit tha se pjesët që nuk janë dëgjuar mirë Prokuroria nuk i ka përdorur, teksa shtoi se Thaçi gjatë udhëzimeve ka pëshpëritur.

Në gjykatore u shfaqën pjesë të bisedave të Thaçit me Fazliun lidhur me dëshminë e Rrustem Mustafës - Remit. Prokuroria pretendon se Thaçi, përmes Faziut dhe të birit të tij, e udhëzoi Mustafën se si të dëshmonte disa ditë më vonë në Hagë për rastin numër 6 – për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Prokuroria po ashtu tha se vetëm një ditë pas udhëzimit të Thaçit, Fazliu u kthye në Kosovë dhe kontaktoi Mustafën, përmes të birit të tij Fahri Fazliut, dhe disa ditë më vonë e njoftoi Thaçin për bisedën dhe Thaçi e udhëzoi sërish rreth dëshmisë së Mustafës.

"Dymbëdhjetë orë pa rrëshqitur diku, s'mundet. Thuaj shkurt, 'po', 'jo'. Ai i ka mirë deklaratat, por mund të rrëshqasë, se gjatë. Thuaji t'i shkurtojë", dëgjohet Thaçi duke i thënë Fazliut në incizimin e lëshuar në gjykatë.

Mbrojtja dhe prokurorët do t'i kenë tri ditë kohë për t’i dhënë argumentet e tyre përmbyllëse në këtë rast që ndërlidhet me çështjen gjyqësore kundër Thaçit dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.

Prokurori Hafetz pretendoi se gjatë vizitave të Fazliut në qendrën e paraburgimit në Hagë, Thaçi zbuloi edhe informacione konfidenciale, përkatësisht identifikoi një provë për të cilën Mustafa do të pyetej gjatë dëshmisë dhe një libër për të cilën prokurorët do ta pyesnin. Sipas prokurorit, Thaçi dha udhëzime se si Mustafa do të duhej të dëshmonte.

Prokurori po ashtu përmendi një vizitë të Hajredin Kuçit me Thaçin në Hagë, në kohën kur Kuçi ishte pjesë e mbrojtjes së Veselit. Ai tha se Kuçi e kontaktoi Mustafën përmes mesazhit, duke e ditur se është e ndaluar që të kontaktohen dëshmitarë pa një autorizim paraprak të gjykatës.

Prokuroria tha se me këtë Kuçi nuk iu bind Gjykatës.

Madje, për të përshkruar raportin e ngushtë, që sipas Prokurorisë ekziston mes Thaçit dhe Kuçit, gjatë vizitës në Hagë, Prokuroria tha se Kuçi iu referua 90 Thaçit me fjalën "boss [shef]", ndërkaq Thaçi e quajti mbi 50 herë atë "Hajro".

Prokuroria pretendon se Thaçi shënjestroi tre dëshmitarë përmes Kuçit, dy ish-pjesëtarë të UÇK-së dhe një viktimë e pretenduar e pjesëtarëve të UÇK-së.

“Shënjestrimi i dëshmitarëve ishte që ai [Thaçi] të përgatiste narrativin e tij të preferuar se ai nuk kishte përgjegjësi penale për veprat e paraqitura në çështjen 6”, tha prokurori Hafetz.

Hafetz tha se njëri nga dëshmitarët e shënjestruar ishte Sulejman Selimi, apo i njohur si dëshmitari numër 5.

Sipas prokurorit, Thaçi e udhëzoi Kuçin që Selimi të thoshte se komandantët e zonave të UÇK-së kishin fuqinë e vetme.

"Thuaj që telefonin satelitor ja ka sjellë diaspora... Demaçi ka bërë disa rregullore", dëgjohet duke përshpëritur Thaçi në incizimin e lëshuar në gjykatore.

Me Kuçin u diskutua edhe libri për të cilin do të pyetej Mustafa dhe, sipas Prokurorisë, përmes Kuçit, Thaçi dërgoi udhëzime se si Selimi të dëshmonte.

Prokuroria ka kërkuar tri orë për fjalën e saj përmbyllëse.

Dy ditë pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse, Thaçi së bashku me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin do të dalin para trupit gjykues për t’u përballur me aktgjykimin për krime lufte gjatë luftës së viteve 1998-‘99 në Kosovë. Për secilin nga ta, Prokuroria ka kërkuar 45 vjet burgim. Të katërtit i kanë mohuar të gjitha akuzat.