Abdixhiku takohet me Prattipatin, flasin për tejkalimin e krizës politike në Kosovë
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në takim të ngarkuarën me punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati.
Bëhet e ditur se gjatë këtij takimi ata diskutuan për zhvillimet aktuale, me theks të veçantë në zhvillimet e fundit në Kuvend dhe procesin e konstituimit të institucioneve të Kosovës.
Abdixhiku njoftoi Prattipatin për qëndrimet e LDK-së për situatën aktuale, raporton Zeri.info.
“Në takim u diskutua edhe për rëndësinë e tejkalimit të situatës aktuale politike dhe krijimit të kushteve për funksionimin e qëndrueshëm dhe demokratik të institucioneve të vendit, në shërbim të qytetarëve.
Kryetari Abdixhiku shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pazëvendësueshme të SHBA-së për Republikën e Kosovës, duke vlerësuar partneritetin strategjik ndërmjet dy vendeve dhe duke theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe thellimit të këtij partneriteti”, thuhet në njoftim. /Zëri