KEK-u aktivizon Task-Forcën për sigurinë në punë, pas aksidenteve të fundit
Foto: Laura Hasani

KEK-u aktivizon Task-Forcën për sigurinë në punë, pas aksidenteve të fundit

Aktuale August 28, 2026 - 14:47

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka aktivizuar Task-Forcën për vlerësimin, rishikimin dhe avancimin e sistemit të sigurisë dhe shëndetit në punë, pas aksidenteve të fundit në vendin e punës.

Sipas KEK-ut, formimi i Task-Forcës është bërë në kuadër të masave të ndërmarra dhe në zbatim të konkluzioneve të Bordit të Drejtorëve dhe Menaxhmentit të Korporatës, transmeton Zeri.info.

Task-Forca përbëhet nga përfaqësues të strukturave operative dhe profesionale të KEK-ut, përfshirë edhe përfaqësues sindikalë. Në varësi të nevojës, në punën e saj mund të përfshihen edhe ekspertë të brendshëm ose të jashtëm për fusha specifike.

Në fokus të saj do të jetë vlerësimi i plotë i sistemit të sigurisë dhe shëndetit në punë, shqyrtimi i procedurave, standardeve dhe praktikave ekzistuese, si dhe identifikimi i mangësive eventuale.

Task-Forca do të propozojë gjithashtu masa konkrete për forcimin e sigurisë, mbikëqyrjes dhe përgjegjësisë në çdo nivel të Korporatës.

KEK-u ka bërë të ditur se zbatimi i rekomandimeve do të jetë përgjegjësi e drejtpërdrejtë e divizioneve, departamenteve dhe njësive përkatëse, ndërsa Menaxhmenti do të mbikëqyrë në mënyrë të vazhdueshme zbatimin e tyre deri në përmbushjen e plotë të masave të përcaktuara.

“Siguria dhe shëndeti i punonjësve janë prioritet absolut i KEK Sh.A. dhe çdo mangësi e identifikuar do të trajtohet me përgjegjësi, transparencë dhe masa konkrete”, thuhet në njoftimin e Korporatës. /Zëri