Glauk Konjufca lirohet nga akuza për gazin lotsjellës
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Glauk Konjufcës në rigjykimin për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.
Konjufca ishte akuzuar për veprën penale “Përdorimi i armës ose mjetit të rrezikshëm”, lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës në sallën e Kuvendit më 10 gusht 2016.
Akrgjykimi është shpallur sot, më 28 gusht, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancën e rigjykimit, Prokuroria kishte kërkuar që Konjufca të shpallej fajtor dhe t’i shqiptohej një dënim meritor, duke pretenduar se veprimet e tij përbënin vepër penale.
Në anën tjetër, mbrojtja kishte kërkuar aktgjykim lirues, duke argumentuar se nuk ishte provuar përtej dyshimit të arsyeshëm se Konjufca e kishte kryer veprën për të cilën akuzohej.
Konjufca gjatë rigjykimit ishte deklaruar i pafajshëm dhe ishte mbrojtur në heshtje.
Ky është rasti i dytë kur Gjykata Themelore në Prishtinë e shpall Konjufcën të pafajshëm për këtë akuzë. Më 26 shkurt 2024, Gjykata Themelore kishte nxjerrë aktgjykim lirues ndaj tij, por Gjykata e Apelit e kishte prishur atë vendim dhe e kishte kthyer rastin në rigjykim.
Për veprën tjetër penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare” ndjekja penale ishte parashkruar.
Konjufca ishte akuzuar se më 10 gusht 2016, gjatë një mbledhjeje në sallën e Kuvendit, kishte hedhur gaz lotsjellës, duke shkaktuar ndërprerjen e mbledhjes dhe largimin e personave të pranishëm nga salla.\
