Intervenim kompleks në QKUK, 21-vjeçares i hiqet një pjesë e mëlçisë për shkak të tumorit

Intervenim kompleks në QKUK, 21-vjeçares i hiqet një pjesë e mëlçisë për shkak të tumorit

Aktuale August 28, 2026 - 12:02

Një ndërhyrje komplekse kirurgjikale është realizuar me sukses në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku një paciente 21-vjeçare i është nënshtruar hemihepatektomisë së majtë, për shkak të një tumori hepatik.

Rezeksionet e mëlçisë konsiderohen ndër ndërhyrjet më komplekse në kirurgjinë abdominale dhe kërkojnë ekspertizë të lartë kirurgjikale, planifikim të kujdesshëm paraoperativ, si dhe bashkëpunim të ngushtë të ekipit multidisiplinar.

Sipas njoftimit, ndërhyrja është realizuar me sukses falë punës së ekipit të specializuar të Klinikës së Kirurgjisë Abdominale, të përbërë nga dr. Afrim Tahiri, dr. Fadil Beka, dr. Arsim Çerkinaj dhe dr. Rexhep Ajvazi.

Në ekipin e anestezionit ishte dr. Turkan Karabegler, ndërsa në ekipin mbështetës instrumentar morën pjesë Lulja Tasholli dhe Valentina Dervishi.

Pas përfundimit të trajtimit dhe monitorimit postoperativ, pacientja është liruar në shtëpi në gjendje të stabilizuar dhe të mirë shëndetësore.

Sipas Klinikës së Kirurgjisë Abdominale, ky intervenim përfaqëson një dëshmi të kapaciteteve profesionale, ekspertizës dhe përvojës së stafit shëndetësor në trajtimin e rasteve komplekse kirurgjikale. /Zëri