Musliu: Kosova është marrë peng nga LVV-ja, ejani në Kuvend
Foto: Laura Hasani

Musliu: Kosova është marrë peng nga LVV-ja, ejani në Kuvend

Aktuale August 28, 2026 - 11:45

Deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës edhe sot nga ora 11:00 ishin të pranishëm në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës, ku do të duhej të mbahej vazhdimi i seancës konstituive.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, nga foltorja e Kuvendit tha se Kosova është marrë peng nga deputeti Albin Kurti dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, të cilët po luajnë me fatin e vendit dhe durimin e qytetarëve.

“Kosova është marrë peng dhe kjo është për turp. Kosova është marrë peng nga një parti, e cila erdhi në pushtet me fjalë të mëdha. Kosova është marrë peng nga një parti, e cila arriti që shpresën e qytetarëve për një jetë më të mirëqenë ta keqpërdorë për ambiciet e veta për pushtet”, shtoi Musliu.

Duke theksuar se të gjithë ata që kanë hyrë në vallen e shtetshkatërrimit do t’i ndëshkojë ligji dhe historia, Musliu ripërsëriti kërkesën e PDK-së, që deputeti Kurti dhe LVV-ja të kthehen në Kuvend për ta konstituuar këtë institucion.

“Mos luani me demokracinë, mos luani me Kushtetutën. Ejani në Kuvend dhe t’i japim fund kësaj situate, sepse e keni kthyer Kosovën në një vend pa institucione, pa ligj e pa Kushtetute”, tha ajo.

Partia Demokratike e Kosovës përsëri do t’i drejtohet kryesuesit të seancës për nga mosha, Avni Dehari, me kërkesën për vazhdimin e seancës konstituive brenda 48 orëve.

Lidhur me këtë, dje PDK-ja ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj Deharit për keqpërdorim të pozitës zyrtare. /Zëri