Protestë në Prishtinë: Çështja e vrasjeve të grave të trajtohet si urgjencë kombëtare
Foto: Laura Hasani

Protestë në Prishtinë: Çështja e vrasjeve të grave të trajtohet si urgjencë kombëtare

Aktuale August 28, 2026 - 13:22

Me moton “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka protestuar sot në Prishtinë kundër vrasjeve të grave dhe dhunës me bazë gjinore.

Protesta është mbajtur pas vrasjeve të dy grave gjatë kësaj jave. Protestueset kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës që siguria e grave dhe vajzave të trajtohet si çështje me urgjencë kombëtare.

Qendresa Hyseni, nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, ka kritikuar ashpër patriarkatin dhe institucionet, duke thënë se gratë në Kosovë po jetojnë në një gjendje të vazhdueshme pasigurie.

Image

“Sot na qitën prapë në rrugë edhe dy jetë grash të humbura. Jemi dalë zemërthyme e të revoltume me bërtitë që ky patriarkat që po i shndërron burrat në kriminela po vret gra cep më cep Kosovës”, ka deklaruar Hyseni.

Ajo ka thënë se vrasjet e grave nuk duhet të trajtohen si raste të izoluara ose thjesht si tragjedi familjare, por si pjesë e një fenomeni më të gjerë të dhunës ndaj grave.

Image

“Dy burra që vranë dy gra, nuk janë ngjarje të ndara prej njana-tjetrës, po janë episode të femicidit, pra të vrasjes së grave veç pse ato janë gra”, është shprehur Hyseni.

Sipas saj, fokusi nuk duhet të zhvendoset te problemet psikologjike të autorëve apo arsye të tjera individuale, pasi kjo, sipas saj, e largon vëmendjen nga fenomeni i dhunës patriarkale.

Image

Hyseni ka folur edhe për rastet e dhunës seksuale ndaj burrave, duke thënë se edhe ato lidhen me të njëjtën logjikë të pushtetit dhe dhunës.

“Prej të njëjtës dhunë mashkullore përdhunohen edhe burrat. Këto fragmente mund të doken që s’kanë lidhje me njana-tjetrën, po në fakt burojnë prej të njëjtit sistem e të njëjtës logjikë që rrah, përdhunon e vret”, ka thënë ajo.

Ajo ka kritikuar institucionet për, siç tha, dështimin për ta garantuar sigurinë e grave dhe ka kërkuar përgjegjësi institucionale.

Image

“Jemi këtu për me kërku llogari prej këtij shteti që ende vazhdon të mos e marr seriozisht sigurinë e jetën e grave”, ka deklaruar Hyseni.

Në protestë, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka paraqitur edhe disa kërkesa konkrete ndaj institucioneve.

Image

Ndër to janë trajtimi i sigurisë së grave si çështje me urgjencë kombëtare, krijimi i një njësie të specializuar për parandalimin e femicidit në nivel ministror, funksionalizimi i zinxhirit institucional për parandalimin e dhunës, përfshirë qendrat për punë sociale, si dhe financimi më i mirë i politikave sociale që synojnë reduktimin e pabarazive gjinore.

Kolektivi ka kërkuar gjithashtu kodifikimin e femicidit si vepër të veçantë penale dhe edukim gjithëpërfshirës në sistemin arsimor, me fokus në parandalimin e dhunës dhe promovimin e barazisë gjinore.

Image

“Me zemërim, dhimbje e vendosshmëri, ne po e themi prapë dhe përfundimisht që ky shtet duhet ta trajtojë me urgjencë kombëtare sigurinë e vajzave e grave në Kosovë”, ka përfunduar Hyseni.

Image

Image

Image