PREVENT: Diskursi stigmatizues ndaj myslimanëve mund të thellojë polarizimin shoqëror në Kosovë
Instituti për Siguri dhe Reziliencë – PREVENT ka shprehur shqetësim për, siç thotë, rritjen e një diskursi stigmatizues, përjashtues dhe potencialisht nxitës të intolerancës fetare në hapësirën publike dhe online.
Sipas PREVENT-it, gjatë periudhës së fundit janë intensifikuar përplasjet, akuzat dhe kundërakuzat rreth Islamit, praktikimit të fesë dhe rolit të komunitetit mysliman në shoqërinë kosovare.
Instituti vlerëson se në raste të caktuara ky diskurs po kalon nga kritika ndaj ideve dhe praktikave fetare në përgjithësime ndaj besimtarëve, duke krijuar, sipas tij, një atmosferë gjithnjë e më konfrontuese, transmeton Zeri.info.
Kjo dinamikë, sipas PREVENT-it, është bërë veçanërisht e dukshme pas aktakuzës ndaj Fatmir Shehollit. Instituti u referohet pretendimeve të Prokurorisë Speciale dhe raportimeve publike mbi aktakuzën, ku përmendet edhe një dokument që lidhet me synimin për të krijuar perceptimin e Kosovës si shoqëri e radikalizuar dhe ekstremiste.
“Për PREVENT-in, këto zhvillime tregojnë se feja, identiteti fetar dhe ndarjet shoqërore mund të shfrytëzohen si instrumente të ndikimit dhe polarizimit”, thuhet në reagim.
Instituti paralajmëron se një diskurs i tillë mund të dëmtojë kohezionin shoqëror dhe të nxisë reagime gjithnjë e më konfrontuese nga pjesë të komunitetit mysliman, duke krijuar një cikël të ndërsjellë polarizimi.
PREVENT-i ka rikujtuar se liria e besimit, ndërgjegjes dhe fesë garantohet me nenin 38 të Kushtetutës së Kosovës, ndërsa Neni 39 garanton statusin dhe autonominë e bashkësive fetare. Këto të drejta, sipas institutit, mbështeten edhe nga Ligji për Lirinë Fetare në Kosovë.
Në reagim theksohet se në një shoqëri demokratike kritika ndaj fesë, institucioneve fetare dhe praktikave fetare është legjitime dhe pjesë e debatit publik. Megjithatë, sipas PREVENT-it, kjo kritikë duhet të dallohet nga stigmatizimi i besimtarëve, demonizimi i një komuniteti apo nxitja e urrejtjes dhe mosdurimit fetar.
“Po aq e rëndësishme është që përgjigjja ndaj një diskursi të tillë të mos shndërrohet në gjuhë hakmarrëse apo në sulme ndaj individëve dhe grupeve me bindje të ndryshme”, thuhet në reagim.
PREVENT-i vlerëson se normalizimi i gjuhës përjashtuese nga cilado anë mund të thellojë polarizimin shoqëror dhe fetar, të dobësojë kohezionin dhe, në rrethana të caktuara, të krijojë terren për tensione dhe incidente.
Për këtë arsye, instituti u ka bërë thirrje institucioneve, mediave, shoqërisë civile dhe komuniteteve fetare që të tregojnë përgjegjësi të shtuar në mënyrën se si trajtohen këto tema.
PREVENT-i u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë që t’i kushtojnë vëmendje të veçantë këtij fenomeni dhe, në rastet kur përmbajtjet apo veprimet konkrete përmbajnë elemente të veprave të përcaktuara me ligj, të ndërmarrin masat përkatëse.
Ndërsa mediave u është kërkuar kujdes më i madh në përzgjedhjen e zërave që ftohen për të diskutuar tema të tilla dhe që hapësira publike të mos shndërrohet në platformë për stigmatizimin e një komuniteti të tërë, përhapjen e urrejtjes ose thellimin e përplasjeve fetare. /Zëri