Banorët e Shpenadisë kërkojnë ndërhyrje institucionale për ndotjen e ambientit

Banorët e Shpenadisë kërkojnë ndërhyrje institucionale për ndotjen e ambientit

Aktuale August 15, 2026 - 12:14

Banorët e fshatit Shpenadi të Prizrenit, kanë ngritur shqetësimin për një problem mjedisor që, sipas tyre, po vazhdon prej kohësh dhe paraqet rrezik për mjedisin dhe shëndetin publik.

Sipas deklarimeve të banorëve dhe vëzhgimeve të tyre në terren, në zonën përreth fshatit janë evidentuar derdhje dhe depozitime të mbetjeve që lidhen me aktivitetin e një ferme pulash.

Banorët pretendojnë se bëhet fjalë edhe për mbetje organike, të cilat, sipas tyre, kanë shkaktuar ndotje dhe krijuar kushte shqetësuese për komunitetin.

Çështja lidhet me fermën e pulave. Banorët kërkojnë që institucionet kompetente të verifikojnë situatën në terren dhe të përcaktojnë nëse aktiviteti dhe mënyra e menaxhimit të mbetjeve janë në përputhje me kërkesat mjedisore dhe shëndetësore.

“Banorët kanë adresuar disa herë shqetësimet e tyre tek institucionet përkatëse, duke kërkuar ndërhyrje. Deri më tani, sipas tyre, nuk është ndërmarrë një zgjidhje konkrete dhe situata mbetet e pandryshuar”, thuhet në reagimin e Shoqatës “Lekë Dukagjini” dhe banorëve të Shpenadisë.

Banorët kërkojnë nga subjektet përgjegjëse marrjen e masave për menaxhimin adekuat të mbetjeve dhe parandalimin e ndotjes së mëtejshme. Ata kërkojnë gjithashtu që institucionet kompetente të trajtojnë rastin, të kryejnë inspektimet e nevojshme dhe të ndërmarrin masa konkrete për një zgjidhje të qëndrueshme.

“Banorët kërkojnë që subjektet përgjegjëse të ndërmarrin masa për menaxhimin e mbetjeve dhe parandalimin e ndotjes, në përputhje me standardet mjedisore dhe shëndetësore”, thuhet në reagim.