Arrestohet një shtetas i Kosovës nën dyshimin për spiunazh
Një shtetas i Kosovës, me inicialet F.S., është arrestuar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Spiunazh”.
Arrestimi është kryer në pikën kufitare në Merdare, në Podujevë, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Në operacion kanë marrë pjesë hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, transmeton Zeri.info.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, arrestimi është realizuar pas veprimeve hetimore të ndërmarra nga autoritetet kompetente.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të vazhdojë me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit”, thuhet në njoftim.
Institucionet kanë theksuar se do të vazhdojnë luftimin dhe ndjekjen penale të personave për të cilët ekzistojnë dyshime të bazuara për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme, veçanërisht në raste që cenojnë sigurinë kombëtare.
Hetimet për rastin janë në zhvillim./Zëri