Qeveria themelon Grupin punues për hartimin e strategjisë shtetërore për proceset e Apelit në Hagë
Foto: Laura Hasani

Qeveria themelon Grupin punues për hartimin e strategjisë shtetërore për proceset e Apelit në Hagë

Aktuale October 14, 2026 - 10:00

Qeveria e Kosovës ka themeluar Grupin punues për hartimin e strategjisë shtetërore për proceset e Apelit në Hagë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se aktgjykimi i shkallës së parë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është i padrejtë juridikisht dhe moralisht, duke theksuar se përpjekjet duhet të përqendrohen në korrigjimin e tij në shkallën e Apelit.

Në mbledhjen e Qeverisë, Kurti tha se aktgjykimi përmban pasaktësi faktike dhe historike, prandaj është e nevojshme të organizohet një mbështetje e koordinuar për procesin e ardhshëm gjyqësor.

“Aktgjykimin e shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së e konsiderojmë të padrejtë juridikisht dhe moralisht, me pasaktësi faktike dhe historike, prandaj punojmë që të bëhet korrigjimi i tij në shkallën e Apelit”, tha Kurti.

Ai theksoi se për këtë proces nevojitet një strategji shtetërore dhe kombëtare, e cila do t’i tejkalonte dallimet partiake dhe do t’i bashkonte institucionet rreth një qëllimi të përbashkët.

“Siç kemi theksuar edhe më parë, për këtë nevojitet një strategji shtetërore e kombëtare, një organizim që i tejkalon dallimet partiake dhe bashkon institucionet rreth një qëllimi të përbashkët”, u shpreh kryeministri.

Kurti njoftoi se, për këtë arsye, Qeveria po themelon një grup punues të kryesuar nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.

“Për këtë arsye sot po e themelojmë Grupin punues, të kryesuar nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, me përfaqësim institucional dhe parlamentar, për të bashkërenduar mbështetjen juridike, institucionale dhe diplomatike në funksion të procedurave të Apelit”, deklaroi Kurti, transmeton Zeri.info.

Ai tha se vendimi i sotëm synon ta konkretizojë zotimin e Qeverisë për t’u angazhuar në mbështetje të procesit të Apelit dhe për mbrojtjen e asaj që e cilësoi si të vërtetë historike të luftës çlirimtare të Kosovës.

“Me këtë vendim po e konkretizojmë zotimin tonë që, me mjetet që i kemi në dispozicion, të angazhohemi për drejtësi dhe për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës sonë çlirimtare”, përfundoi Kurti. /Zëri