Beqiri: Ngërçi politik po dëmton ekonominë, rrezikohen edhe fondet e BE-së
Foto: Laura Hasani

Beqiri: Ngërçi politik po dëmton ekonominë, rrezikohen edhe fondet e BE-së

Aktuale August 15, 2026 - 11:10

Eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri, ka vlerësuar se ngërçi politik në Kosovë po ndikon në zhvillimin ekonomik, investimet e huaja dhe imazhin ndërkombëtar të vendit.

Beqiri në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se situata e krijuar politike rrezikon edhe fondet që Kosova ka të zotuara nga Bashkimi Evropian, ndërsa mungesa e institucioneve funksionale po e kufizon vendimmarrjen.

“Po tashmë pothuajse që dy vite Republika e Kosovës është në ngërç politik për shkak të mosdakordimit mes partive politike dhe kjo sigurisht që ka ndikuar jashtëzakonisht shumë në zhvillimin ekonomik dhe në investimet e huaja, sepse kjo ndikon edhe në imazhin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës. Faktin që kishim edhe ditë më herët në top mediat ndërkombëtare situatën aktuale në Republikën e Kosovës dhe kjo sigurisht që ka me ndiku, për faktin që Kosova ka edhe një zotim që ka marrë nga Bashkimi Evropian për fonde të cilat do të alokohen në periudhat deri në vitin 2028. Pra, konsideroj që është jashtëzakonisht e dëmshme situata aktuale dhe është një zinxhir i cili ka me dëmtu ekonominë e Kosovës. Tashmë veç e ka dëmtu duke pasë parasysh edhe investimet kapitale, rritjen e importit, gjithashtu uljen e papunësisë rritjen e papunësisë në fakt, dhe rritjen e çmimeve, pra ka arritë që inflacioni të ndikojë në jetesën e qytetarëve. Dhe kjo sigurisht për shkak që shumica e institucioneve në Republikën e Kosovës janë me ushtrues detyre dhe vendimmarrja është e kufizuar dhe kjo ndikon jashtëzakonisht keq në performancën ekonomike në Republikën e Kosovës”, tha ai.

Sipas Beqirit, Kosova rrezikon të humbë një pjesë të konsiderueshme të mbështetjes financiare nga BE-ja për shkak të mungesës së dakordimit institucional.

“Kryesisht Kosova ka përfituar rreth 800 milionë euro nga ndihma, paketa e Bashkimit Evropian dhe pjesa më e madhe do të humb për shkakun që nuk ka një dakordancë mes institucioneve të Republikës së Kosovës. Pra, për inate politike po rrezikojnë edhe investime të cilat kryesisht janë investime që ndikojnë në jetesën e qytetarëve. Bashkimi Evropian nuk investon në një vend që ka trazira, siç është rasti aktual në Republikën e Kosovës, që për një post ceremonial konsideroj e vënë vendin në rrezik, në mënyrë që t’i humbin edhe fondet e Bashkimit Evropian. Dhe kjo sigurisht që është dëm i jashtëzakonshëm jo vetëm për faktin që humben vetëm pjesë të mjeteve, por humbet edhe mundësia e investimeve, e investimeve të huaja, imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke shpërfaqur dëshirën e Serbisë që pretendon se Republika e Kosovës është një shtet i cili është krijuar artificialisht dhe nuk janë të zotët që të qeverisin. Dhe kjo sigurisht që ka dhënë një imazh tepër të keq në arenën ndërkombëtare”, tha ai.

Ai ka theksuar se mungesa e institucioneve funksionale mund të ndikojë drejtpërdrejt në vendimet e investitorëve të huaj.

“Sigurisht në investitorët potencialë që janë seriozë nuk investojnë në një vend i cili ka mungesë të institucioneve. Sepse kjo ndikon drejtpërdrejt edhe në performancën e tyre dhe në sigurinë e mjeteve të tyre. Asnjë qytetar apo asnjë biznes ndërkombëtar nuk investon në një vend i cili pritet të ketë trazira, në fakt dhe ka pothuajse trazira për çdo ditë në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Dhe investitorët e huaj e masin jashtëzakonisht mirë situatën dhe vendosin për të investuar”, tha ai.

Beqiri ka deklaruar se një pjesë e investitorëve kanë orientuar investimet drejt Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, duke thënë se situata aktuale po ndikon në performancën ekonomike të Kosovës.

“Një pjesë e madhe e investitorëve tashmë kanë kaluar në pjesën e Republikës së Maqedonisë dhe Shqipërisë, duke marrë për bazë edhe situatën që ka ndodhur me daljen në tregun e hapur të energjisë elektrike, dhe të gjitha këto kanë ndikuar që të ketë një performancë jo të mirë të zhvillimit ekonomik, pavarësisht statistikave të bukura që jemi duke i dëgjuar, në Republikën e Kosovës. Dhe nuk mjaftojnë statistikat e bukura, Kosova po vazhdon të çalojë dhe të ketë çmime të larta duke rrezikuar edhe jetesën e duhur të dinjitetshme të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha ai./EO