Arrestohet në motel gjyqtari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Arrestohet në motel gjyqtari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Aktuale August 14, 2026 - 13:39

Gjyqtari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Avdirrahman Gashi, është arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Arrestimi është kryer nga Prokuroria Speciale e Kosovës, në bashkëpunim me Njësinë e Veçantë Hetimore të Policisë së Kosovës, pas një hetimi që, sipas autoriteteve, është zhvilluar intensivisht dhe në vazhdimësi për disa muaj, transmeton Zeri.info.

Sipas fotografi të publikuar në njoftim, dyshohet se arrestimi ka ndodhur në një motel.

“Bazuar në të dhënat dhe provat e siguruara gjatë hetimit, Prokuroria Speciale ka vlerësuar se ekziston dyshimi i arsyeshëm për përfshirje në veprën penale për të cilën është ndërmarrë masa e arrestimit”, thuhet në komunikatën e përbashkët të Policisë dhe Prokurorisë Speciale.

Autoritetet nuk kanë dhënë detaje të tjera lidhur me rastin, duke thënë se kjo bëhet për të ruajtur integritetin e procesit hetimor dhe respektuar parimin e prezumimit të pafajësisë.

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë deklaruar se mbeten të përkushtuara në luftimin e korrupsionit, keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe veprave të tjera penale, duke vepruar në përputhje me ligjin dhe standardet e drejtësisë penale. /Zëri