Studimi: Shumica e të rinjve ëndërrojnë familje të madhe, por ekonomia ua prish planet
Një anketë e re e publikuar nga UNFPA, Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsi, zbulon se të rinjtë në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore vazhdojnë ta konsiderojnë familjen dhe prindërimin si prioritete jetësore, por përballen me pengesa të mëdha ekonomike dhe sociale që ua vështirësojnë realizimin e këtyre synimeve.
Të dhënat, të publikuara të enjten në prag të Ditës Botërore të Popullsisë (11 korrik), tregojnë një mospërputhje të thellë mes dëshirës së të rinjve për të krijuar familje dhe realitetit demografik në rajon.
Sipas anketës, rreth 65 për qind e të rinjve shprehen optimistë për të ardhmen e tyre, një përqindje dukshëm më e lartë sesa në vendet e Evropës Perëndimore dhe Azisë Lindore. Megjithatë, ata raportojnë shqetësime të mëdha për konfliktet, krizën ekonomike dhe papunësinë.
Rezultatet tregojnë se 79 për qind e të anketuarve dëshirojnë të martohen, ndërsa 87 për qind e konsiderojnë gëzimin dhe lumturinë si arsyet kryesore për të pasur fëmijë. Shumica synojnë të kenë dy ose më shumë fëmijë, duke e parë familjen si pjesë të rëndësishme të identitetit dhe mirëqenies së tyre, transmeton Zeri.info.
Megjithatë, shumë prej këtyre aspiratave mbeten të parealizuara. Më shumë se 22 për qind e grave të moshës 35 deri në 39 vjeç nuk kanë fëmijë, edhe pse 95 për qind e tyre shprehen se dëshirojnë të bëhen nëna.
Anketa evidenton gjithashtu një hendek të madh ndërmjet numrit të fëmijëve që të rinjtë dëshirojnë të kenë dhe atij që arrijnë të kenë deri në fund të të 30-ave. Ky hendek është veçanërisht i theksuar në Ukrainë, ku gratë deklarojnë se idealisht dëshirojnë tre fëmijë, ndërsa mesatarisht kanë pak më shumë se një.
Drejtoresha rajonale e UNFPA-së për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, Florence Bauer, tha se të rinjtë nuk po largohen nga ideja e krijimit të familjes, por nuk shohin kushtet e nevojshme për ta realizuar atë.
"Larg nga ajo që të largohen nga familja, të rinjtë në rajon thjesht nuk shohin se kushtet e nevojshme ekzistojnë për të realizuar aspiratat e tyre", tha Bauer.
Ajo u bëri thirrje qeverive të dëgjojnë nevojat e të rinjve dhe të hartojnë politika që u mundësojnë atyre krijimin e familjes.
"Gjetjet e anketës janë një thirrje për qeveritë që të dëgjojnë të rinjtë, të kuptojnë pengesat me të cilat përballen dhe të hartojnë politika që i mbështesin në realizimin e aspiratave të tyre për familjen dhe prindërimin", u shpreh ajo.
Sipas anketës, pengesat kryesore janë pasiguria financiare, mungesa e banimit të përshtatshëm, problemet shëndetësore, vështirësitë për të gjetur partnerin e duhur, si dhe ndarja e pabarabartë e përgjegjësive për kujdesin ndaj fëmijëve dhe punët e shtëpisë.
UNFPA thekson se të rinjtë e shohin rrugën drejt prindërimit si një proces që fillon me një punë të qëndrueshme, pasohet nga sigurimi i banimit, krijimi i një partneriteti të qëndrueshëm dhe më pas vendimi për të pasur fëmijë. Kur njëra prej këtyre hallkave mungon, shtyhen edhe planet për krijimin e familjes.
Anketa është realizuar gjatë vitit 2025 me mbi 13.500 persona të moshës 18 deri në 39 vjeç në 11 vende dhe territore të Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore, duke përfshirë edhe Kosovën. /Zëri