Haxhiu tregon se kur do të thirret seanca konstituive
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës Albulena Haxhiu, është deklaruar pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Haxhiu tha se seanca konstituive e Kuvendit do të thirret brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutë.
“Me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmbyllet një proces i rëndësishëm demokratik për Republikën tonë”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka vlerësuar se vota e qytetarëve, tashmë ka marrë formën përfundimtare institucionale.
“Vullneti i qytetarëve, i shprehur me votë brenda vendit dhe nga bashkatdhetarët tanë, ka marrë tashmë formën e tij përfundimtare institucionale”, është shprehur ajo.
Haxhiu ka falënderuar institucionet zgjedhore dhe të gjithë akterët që kanë kontribuar në organizimin dhe përmbylljen e procesit zgjedhor, duke vlerësuar punën e tyre si të rëndësishme për funksionimin demokratik të vendit.
“Shpreh mirënjohjen time për institucionet zgjedhore dhe për të gjithë ata që, me profesionalizëm, përgjegjësi dhe përkushtim, kontribuuan në mbarëvajtjen dhe përmbylljen e këtij procesi”, ka deklaruar ajo.
Duke folur për hapat e ardhshëm, ushtruesja e detyrës së presidentes ka theksuar se formimi i institucioneve të reja duhet të bazohet në përgjegjësi dhe respektim të vullnetit qytetar.
“Besimi i dhënë nga qytetarët është një përgjegjësi e madhe. Çdo mandat duhet të ushtrohet me integritet, llogaridhënie dhe përkushtim të palëkundur në shërbim të interesit publik, demokracisë dhe të ardhmes së Republikës sonë”, ka thënë Haxhiu.
Pas certifikimit të rezultateve, pritet që institucionet e reja të ndjekin procedurat kushtetuese për konstituimin e Kuvendit dhe më pas për krijimin e strukturave të reja qeverisëse.