Prishtina shënon Ditën e Çlirimit me seancë solemne dhe mesazhe për liri, kujtesë dhe zhvillim
Në shënim të 27-vjetorit të Çlirimit të Prishtinës, Kuvendi Komunal mbajti seancë solemne, ku morën pjesë përfaqësues institucionalë, veteranë të luftës, pjesëtarë të forcave të sigurisë dhe mysafirë të tjerë. Në këtë seancë u vlerësua sakrifica për liri, rrugëtimi i shtetndërtimit dhe zhvillimi i kryeqytetit ndër vite.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, tha se liria e fituar me sakrificë duhet të shoqërohet me përgjegjësi për ndërtimin e një shteti dhe kryeqyteti të denjë për brezat e ardhshëm.
“Sot jemi në këtë seancë simbolike ku takohet historia me të ardhmen. Në njërën anë po shihni që kemi këtu veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ata që me guxim, me sakrificë dhe besim e sollën lirinë. Në anën tjetër kemi institucionet që na ruajnë sot, kemi Forcën e Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, zjarrfikësit dhe të gjithë punëtorët që çdo ditë i shërbejnë kryeqytetit dhe qytetarëve të tij. Kjo pamje është dëshmia më e bukur e rrugëtimit tonë nga rezistenca te shtetndërtimi, nga lufta për liri te përgjegjësia për ta mbrojtur dhe forcuar atë. E gjithë kjo zhvillohet në praninë dhe mbështetjen e vazhdueshme të KFOR-it dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, të cilët për 27 vjet kanë qenë garanci e sigurisë, stabilitetit dhe sovranitetit të vendit tonë. Mirënjohja jonë për ta është e përhershme”, ka thënë ai.
Rama ka deklaruar se dita e çlirimit nuk është vetëm ditë feste, por edhe përgjegjësie.
“Por dita e çlirimit nuk është vetëm ditë feste, është ditë përgjegjësie. Përgjegjësia jonë sot nuk është ta fitojmë lirinë, atë e fituan ata që e sakrifikuan, që sakrifikuan gjithçka. Përgjegjësia jonë është të ndërtojmë një shtet dhe një kryeqytet që janë të denjë për atë sakrificë. Prandaj jemi krenarë që kemi përfunduar varrezat e dëshmorëve në Makoc e Marec, edhe ato në Prishtinë, duke krijuar vende dinjitoze kujtese për ata që i dhanë Kosovës jetën e tyre. E në zemër të Prishtinës tani do të ndërtohet edhe memoriali i familjes Jashari të komandantit Adem Jashari. Kjo do të jetë një hapësirë kujtese, një hapësirë reflektimi dhe edukimi për brezat e rinj. Po ashtu, në përfundim është edhe projekti për parkun memorial dhe bibliotekën presidenciale “Ibrahim Rugova”. Edhe ky një institucion që do ta ruajë trashëgiminë e presidentit historik dhe do të jetë simbol i dijes, kulturës dhe i vizionit shtetformues. Këto projekte janë monumente të ndërgjegjes sonë kolektive, ku çdo brez do të mësojë se liria ka emra, ka histori, ka sakrificë dhe ndërtohet çdo ditë me dije, me kulturë dhe me përgjegjësi. Prishtina që po ndërtojmë është një kryeqytet që investon në kujtesë, por edhe në arsim, në kulturë, teknologji, hapësira publike dhe mundësi për të rinjtë. Le ta shohim këtë përvjetor si një premtim të përbashkët të ndërtojmë institucione më të forta, një komunitet më solidar dhe një Prishtinë që është shembull i zhvillimit, inovacionit dhe i dinjitetit në të gjithë rajonin. Brezi që na solli lirinë na e la amanetin e guximit. Brezi ynë duhet të lërë dëshminë e zhvillimit, të dijes dhe të mundësive, që fëmijët tanë të trashëgojnë jo vetëm kujtimin e sakrificës, por edhe një kryeqytet më të zhvilluar, më modern, më të drejtë dhe më njerëzor. Me krenari për të kaluarën, me punë dhe përkushtim në të tashmen dhe me miqtë të dëshmuar pranë nesh, e ardhmja e Prishtinës do të jetë ashtu siç e meritojnë të gjithë qytetarët e saj”, tha Rama.
Kurse, kryesuesi i Kuvendit Komunal, Fehmi Kupina, theksoi se liria e Kosovës është rezultat i sakrificës së brezave të tërë dhe se kujtesa për dëshmorët e luftës mbetet pjesë e pandashme e ndërgjegjes kombëtare.
“Kjo është një ditë krenarie, kujtese dhe mirënjohjeje për të gjithë ata që kontribuuan për lirinë dhe shtetin tonë. Sot, 27 vjet pas çlirimit, Prishtina qëndron krenare si kryeqytet i Republikës sonë dhe simbol i lirisë, demokracisë dhe shtetësisë sonë. Kjo liri u fitua me sakrificë të madhe, me përpjekje dhe me çmimin më të lartë njerëzor. Në këtë ditë, përkulemi me respektin më të thellë para dëshmorëve të kombit, martirëve, invalidëve të luftës dhe të gjithë atyre burrave e grave që sakrifikuan gjithçka për idealin e lirisë. Vepra e tyre është e pavdekshme, dhe kujtimi për ta do të mbetet gjithmonë pjesë e ndërgjegjes sonë kombëtare. Historia e çlirimit të Kosovës nuk mund të shkruhet pa i bërë vend Presidentit Historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Me vizionin e tij politik, urtësinë e tij, udhëheqjen e palodhshme dhe angazhimin e pandërprerë diplomatik, ai bëri që çështja e Kosovës të jetë pjesë e agjendës ndërkombëtare dhe hodhi themelet e shtetit që gëzojmë sot. Po aq i rëndësishëm ishte kontributi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, djemtë dhe vashat e secilës me guxim dhe me vendosmëri mbrojtën popullin dhe idealin e lirisë. Mijëra djem dhe vasha iu përgjigjën thirrjes së atdheut, duke sakrifikuar jetën në altarët e Kosovës. Emrat e tyre do të mbeten të skalitur për gjithmonë në historinë tonë kombëtare. Një vend të veçantë në historinë e lirisë sonë zë familja Jashari, familja emblematike e kësaj sakrifice, dhe shumë e shumë familje dhe dëshmorë të tjerë. Me respekt, përkujtojmë edhe të gjitha familjet shqiptare që dhanë bijtë dhe bijat e tyre në altarin e lirisë. Historia e luftës sonë është histori heroizmi, sakrifice dhe përkushtimi për lirinë dhe dinjitetin kombëtar”, tha ai.
Në fjalim për 27-vjetorin e çlirimit të Prishtinës, ish-komandanti i UÇK-së në zonën e Llapit, Rrustem Mustafa, theksoi rëndësinë historike të 11 qershorit 1999 dhe domethënien e luftës për lirinë e Kosovës.
“Sot shënojmë 27 vjetorin e çlirimit të Prishtinës, ditën më të rëndësishme të çlirimit të kryeqytetit tonë. 11 qershori, 1999, lufta për liri, po kurorëzojmë me hyrjen e forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me tërheqjen e forcave të NATO-s, në Kosovë, ishte dita kur liria po bëhej e prekshme. Çlirimi i qytetit dhe i gjithë Kosovës, përmes luftës çlirimtare dhe zbarkimit të NATO-s në Kosovë, nuk është vetëm një tregim për të kaluarën tonë të lavdishme, por edhe një udhërrëfyes për të ardhmen dhe drejtimin strategjik që duhet ta ndjekë Kosova. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte ushtri e vogël, do të thosha, por kishte zemër të madhe dhe kishte vizion, e cila u bë realitet me 11 qershor 1999. Ushtria Çlirimtare e Kosovës arriti të krijojë aleancë me shtetet më të fuqishme të botës demokratike dhe të sjellë lirinë popullit të Kosovës. Ky është mësim për të ardhmen, dhe dëshmi se Kosova gjithmonë ka ecur përpara dhe ka bashkëpunuar me botën demokratike. Çlirimi nuk ishte vetëm largimi i forcave pushtuese, çlirimi ishte rikthim i identitetit njerëzor, ishte e drejta për të menduar lirshëm, për të folur lirshëm dhe për të jetuar pa frikën e përndjekjes. Ata që kanë jetuar dy epoka, okupimin dhe lirinë, e dinë çmimin e saj. Për shumë prej nesh, kjo nuk është vetëm histori që kemi lexuar, kjo është histori që e kemi jetuar, prandaj përgjegjësia, përgjegjësia jonë për ta ruajtur këtë liri është shumë, shumë më e madhe. Sot përkulemi me respekt para dëshmorëve, martirëve dhe luftëtarëve që sakrifikuan gjithçka për lirinë e vendit“, tha ai. /eo