Supremja rrëzon pjesërisht udhëzimin për xhamat e errët të automjeteve: MPB-ja tejkaloi autorizimet ligjore

Supremja rrëzon pjesërisht udhëzimin për xhamat e errët të automjeteve: MPB-ja tejkaloi autorizimet ligjore

Aktuale June 11, 2026 - 10:48

Gjykata Supreme e Kosovës ka shfuqizuar pjesërisht dispozitat e Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Punëve të Brendshme që kufizonin vendosjen e xhamave të errët në automjete, duke konstatuar se ato nuk kishin bazë të mjaftueshme ligjore.

Vendimi është marrë nga Kolegji i Gjykatës Supreme pas padisë së paraqitur nga organizata “Marakli t’Kerreve” dhe Instituti “TriPika – Sport, Sociale, Ekonomi”, të cilët kishin kërkuar vlerësimin e ligjshmërisë së nenit 7 të Udhëzimit Administrativ (MPB) Nr. 12/2024 për Plotësimin dhe Ndryshimin e Udhëzimit Administrativ Nr. 04/2023 për Regjistrimin e Mjeteve.

Me aktgjykimin e publikuar të enjten, Gjykata ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar paragrafin 1, 3 dhe 4 të nenit 7, ndërsa ka lënë në fuqi paragrafin 2 të po këtij neni.

Sipas Gjykatës Supreme, legjislacioni në fuqi, përkatësisht Ligji për Rregullat e Trafikut Rrugor dhe Ligji për Automjete, nuk parashohin ndalim të përgjithshëm për vendosjen e materialeve errësuese apo zëvendësimin e xhamave të automjeteve me xhama të errët.

“Dispozitat e shfuqizuara nuk përbënin thjesht zbatim apo konkretizim të ligjit, por krijonin kufizime të reja materiale që ligjvënësi nuk i kishte paraparë”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës.

Gjykata vlerësoi se paragrafi 1 i nenit 7 krijonte një kufizim të ri duke lejuar xhamat e errët vetëm për automjetet që i kishin të instaluar nga prodhuesi, ndërsa paragrafi 3 ndalonte në mënyrë të përgjithshme vendosjen e folieve errësuese në xhamat e automjeteve.

Po ashtu, është shfuqizuar edhe paragrafi 4, i cili lejonte përjashtime me vendim të ministrit të Punëve të Brendshme, pasi ky parashikim lidhej drejtpërdrejt me ndalimin e përgjithshëm që Gjykata e konsideroi të paligjshëm.

Në aktgjykim theksohet se organet administrative mund të nxjerrin akte nënligjore vetëm për të zbatuar dhe konkretizuar ligjin, por jo për të krijuar ndalime ose kufizime të reja që nuk burojnë nga dispozitat ligjore.

“Çdo kufizim i të drejtave ose i mundësive të përdorimit të automjeteve duhet të mbështetet në autorizim të qartë ligjor dhe të respektojë parimet e ligjshmërisë, sigurisë juridike dhe proporcionalitetit”, thekson Gjykata.

Ndërkohë, paragrafi 2 i nenit 7 ka mbetur në fuqi, pasi sipas Gjykatës ai ka karakter administrativ dhe teknik, duke rregulluar vetëm evidentimin e xhamave të errët në dokumentacionin e regjistrimit të automjeteve, pa vendosur kufizime apo ndalime që bien ndesh me ligjin./Zëri