Hoti: Projekti i gazit amerikan është kauzë për protesta deri në largimin e qeverisë
Foto: Laura Hasani

Hoti: Projekti i gazit amerikan është kauzë për protesta deri në largimin e qeverisë

Aktuale June 11, 2026 - 12:24

Ish-deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës për qasjen ndaj projektit të gazit amerikan dhe politikave energjetike, duke thënë se kjo çështje lidhet drejtpërdrejt me orientimin gjeopolitik të vendit dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.

Hoti ka ngritur tri pyetje kryesore për ekzekutivin.

“Pse Kurti e refuzon projektin e gazit amerikan, në situatën kur të gjitha vendet e rajonit po përfshihen në këtë projekt strategjik për të dalë nga sfera e ndikimit rus? Pse Kurti nuk ka bërë absolutisht asgjë në gjashtë vite të qeverisjes së tij sa i përket ndërtimit të kapaciteteve të reja energjetike? Kujt i intereson që Kosova të vijojë të jetë e varur nga importi i energjisë?”, ka shkruar ai.

Sipas Hotit, këto janë pyetje që duhet t’i shtrojë çdo politikan dhe qytetar, ndërsa ka kritikuar edhe partitë opozitare për, siç tha ai, mungesën e reagimit të mjaftueshëm ndaj kësaj teme.

“Është për keqardhje të shohësh sa me lehtësi e tejkalojnë këtë temë disa opozitarë, të cilët mjaftohen me përdorimin e saj vetëm në kohë zgjedhjesh”, është shprehur ai.

Ish-kryeministri ka vlerësuar se projekti i gazit amerikan nuk është vetëm një çështje ekonomike, por lidhet me sigurinë energjetike dhe orientimin strategjik të Kosovës.

“Nuk bëhet fjalë për një projekt të zakonshëm ekonomik, por për orientimin gjeopolitik të Kosovës, për sigurinë energjetike dhe për aleancën tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Heshtja përballë një dëmi të tillë nuk është neutralitet – është bashkëfajësi”, ka deklaruar Hoti.

Ai ka përmendur gjithashtu suspendimin e Kosovës nga stërvitja ushtarake Defender Europe 23 në vitin 2023 dhe pezullimin e dialogut strategjik Kosovë-SHBA në shtator të vitit 2025, duke i cilësuar si çështje që, sipas tij, do të duhej të mobilizonin opozitën dhe qytetarët.

Hoti ka përfunduar duke thënë se aktiviteti opozitar duhet të ndërtohet mbi kauza shtetërore dhe jo mbi interesat për poste politike./Zëri