Konsullata e Kosovës në Cyrih ngrihet në nivel të Konsullatës së Përgjithshme

Konsullata e Kosovës në Cyrih ngrihet në nivel të Konsullatës së Përgjithshme

Aktuale June 11, 2026 - 13:09

Misioni konsullor i Republikës së Kosovës në Cyrih është ngritur zyrtarisht në nivelin e Konsullatës së Përgjithshme, pas 16 vitesh funksionimi, një zhvillim që është konfirmuar edhe me pëlqimin e Konfederatës Zvicerane.

Lajmin e ka bërë të ditur konsulli Vigan Berisha, i cili e ka cilësuar këtë vendim si një moment historik për përfaqësimin diplomatik të Kosovës në Zvicër dhe për komunitetin e mërgatës.

Sipas njoftimit, ky avancim e forcon praninë institucionale të Kosovës në Cyrih, një nga qendrat më të rëndësishme ekonomike dhe diplomatike në Evropë, duke e barazuar statusin e misionit me konsullatat e përgjithshme të shteteve të tjera të pranishme në këtë qytet.

“Kjo ngritje është njohje e rëndësisë strategjike të Cyrihut, e thellimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës dhe mbi të gjitha e rolit të jashtëzakonshëm të mërgatës sonë”, thuhet në deklaratë.

Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Cyrih tashmë mbulon 13 kantone të Zvicrës, duke zgjeruar ndjeshëm shërbimet konsullore për qytetarët kosovarë që jetojnë dhe veprojnë atje.

Ky zhvillim vlerësohet si një hap i rëndësishëm institucional në forcimin e pranisë diplomatike të Kosovës në Zvicër dhe në përmirësimin e shërbimeve për diasporën./Zëri