Kurti: BE-ja duhet të punojë për të siguruar statusin e kandidatit për Kosovën

Kurti: BE-ja duhet të punojë për të siguruar statusin e kandidatit për Kosovën

Aktuale May 07, 2026 - 15:21

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat dhe të hapen negociatat për anëtarësim, duke thënë se vendi nuk duhet të mbetet prapa në procesin integrues evropian.

Në kuadër të Ditës së Evropës, e cila shënohet më 9 Maj, në një ngjarje të organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ku u nda edhe Çmimi Europian i Vitit, Kurti tha se Kosova tashmë ka dëshmuar progres në ekonomi, demokraci dhe sundim të ligjit.

“Për Kosovën Bashkimi Evropian nuk është një realitet i largët ose një grup standardesh që duhen përmbushur. Ai është shtëpia natyrore e shoqërisë sonë, korniza e reformave tona dhe e ardhmja e qytetarëve tanë që tashmë është zgjedhur. Më shumë se 80% e qytetarëve tanë mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Evropian, një nga nivelet më të larta të mbështetjes kudo në Evropë”, tha ai.

Kurti theksoi se Kosova ka shënuar progres të konsiderueshëm në disa fusha kyçe, duke përmendur rritjen ekonomike dhe avancimin demokratik.

“Ne kemi bërë përparim të konsiderueshëm në vendin tonë. Kemi një nga normat më të forta të rritjes ekonomike në Evropën Juglindore dhe më të fortën në Ballkanin Perëndimor. Jemi në krye kur bëhet fjalë për avancimin demokratik, qoftë sipas matjeve të World Justice Project, Freedom House, Transparency International apo World Press Freedom Index. Ne jemi gjithashtu vendi më i sigurt në rajonin tonë me nivelin më të ulët të krimit. I gjithë ky përparim mori njohje në rrugën tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Pas një dekade pritjeje, ne tashmë gëzojmë liberalizimin e vizave dhe morëm vendimin historik për të aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 15 dhjetor 2022”, tha ai.

Ai shtoi se Kosova është pjesë e Planit të Rritjes së BE-së dhe po punon në përmbushjen e obligimeve, ndonëse, sipas tij, ekzistojnë pengesa për shkak të mosmiratimit të disa ligjeve në Kuvend.

“Ne jemi pjesë e Planit të Rritjes, ku po bëjmë çdo përpjekje për të zbatuar secilin hap. Ne përballemi me disa sfida këtu, siç e dini mirë, me ligje që ende duhet të miratohen nga Kuvendi. Muajin e kaluar, më 15 prill, shënuam 40 muaj që kur dorëzova aplikimin tonë për anëtarësim në Pragë. Besoj se BE-ja duhet të punojë së bashku për të siguruar statusin e kandidatit për Kosovën dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit. Duhet të ketë unitet angazhimi në BE në mënyrë që Kosova të mos mbetet prapa. Ndërkohë, derisa presim vendimin e BE-së, ne po ndërmarrim hapa konkretë për të siguruar që të mos humbet kohë nga ana jonë”, tha ai.

Në fund, Kurti tha se procesi i zgjerimit dhe reformat duhet të ecin paralelisht.

“Premtimi juaj është zgjerimi. Premtimi ynë janë reformat, dhe ne mundemi dhe duhet t’i realizojmë të dyja, kjo është një përgjegjësi e përbashkët”, tha ai.