Nëna e kreu lindjen në tualet dhe foshnjën e hodhi në koshin e mbeturinave, thonë nga Spitali i Ferizajt
Foto: Ilustrim

Nëna e kreu lindjen në tualet dhe foshnjën e hodhi në koshin e mbeturinave, thonë nga Spitali i Ferizajt

Aktuale May 07, 2026 - 11:52

Spitali i Përgjithshëm i Ferizajt ka dhënë versionin zyrtar sa i përket rastit tragjik të ndodhur të mërkurën, ku dyshohet se një vajzë 21-vjeçare ka kryer lindjen në hapësirat e Shërbimit Emergjent e që foshnja s’ka mundur të mbijetojë.

Sipas njoftimit, fillimisht pacientja është paraqitur në spital me ankesa për obstipacion (kapsllëk) dhe ka hyrë në tualet duke e mbyllur derën, raporton Zeri.info.

“Pas insistimit dhe presionit nga stafi mjekësor, të cilët kishin dëgjuar zërin e një foshnje, dera është hapur. Nëna kishte prerë kordonin umbilikal të foshnjës dhe e kishte hedhur atë në koshin e mbeturinave, në gjendje të rëndë dhe hipotermike”, thuhet ndër të tjera.

Nga Spitali thonë se janë ndërmarrë masat emergjente për trajtimin e nënës e foshnjës, të cilat janë transferuar në repartet e Gjinekologjisë dhe Neonatologjisë.

“Foshnja është pranuar në gjendje shumë të rëndë shëndetësore dhe janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme reanimatore nga ekipi multidisiplinar i spitalit. Pavarësisht përpjekjeve maksimale dhe trajtimit intensiv nga personeli mjekësor, foshnja ka ndërruar jetë”, theksohet ndër të tjera.

Bëhet e ditur se lidhur me rastin janë njoftuar Policia e Kosovës dhe Prokuroria, të cilët kanë iniciuar hetimet.

“Në procedurë janë përfshirë edhe inspektorët shëndetësorë dhe ekspertiza mjekoligjore. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i foshnjës është dërguar për obduksion në Instituti i Mjekësisë Ligjore, në kuadër të procedurave të mëtejshme hetimore”, thuhet ndër të tjera. /Zëri