Haxhiu: Gjetjet e CERD-it konfirmojnë diskriminimin e shqiptarëve në Luginë
Foto: Laura Hasani

Haxhiu: Gjetjet e CERD-it konfirmojnë diskriminimin e shqiptarëve në Luginë

Aktuale May 07, 2026 - 12:29

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka komentuar vërejtjet përfundimtare të OKB-së për Eliminimin e Diskriminimit Racor (CERD) për çështjen e shqiptarëve të Luginës.

Sipas saj, këto komente e konfirmojnë shqetësimin e ngritur nga shqiptarët e kësaj ane për shkeljen e të drejtave të tyre nga Serbia, raporton Zeri.info.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës, përmes rezolutës së miratuar më 24 prill 2026, për avancimin e përkujdesjes institucionale ndaj shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, e ka trajtuar këtë çështje si përgjegjësi shtetërore. Tani, pas gjetjeve të CERD-it, kjo përgjegjësi ka edhe një adresë të qartë ndërkombëtare”, theksoi Haxhiu.

Haxhiu u ka bërë thirrje partnerëve ndërkombëtarë, mekanizmave të OKB-së, Bashkimit Evropian, OSBE-së dhe Këshillit të Evropës, që këtë çështje ta trajtojnë me prioritet dhe të kërkojnë nga Serbia zbatim të plotë të rekomandimeve të CERD-it.

“Të drejtat e shqiptarëve në Luginë nuk mund të mbeten në margjinë të raporteve. Ato duhet të jenë pjesë e qartë e dialogut politik, e monitorimit ndërkombëtar dhe e çdo procesi ku matet sundimi i ligjit dhe trajtimi i pakicave”, thuhet ndër të tjera. /Zëri