Rrjeti i Grave të Kosovës kërkon financim urgjent për strehimoret e viktimave të dhunës, i shkruan Kurtit

Rrjeti i Grave të Kosovës kërkon financim urgjent për strehimoret e viktimave të dhunës, i shkruan Kurtit

Aktuale May 07, 2026 - 15:29

Rrjeti i Grave të Kosovës u është drejtuar me një letër urgjente kryeministrit në detyrë Albin Kurtit dhe ministrive përgjegjëse, duke kërkuar sigurimin e financimit emergjent dhe zgjidhjeve afatgjata për funksionimin e pandërprerë të strehimoreve për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.

Në letrën e nënshkruar nga drejtoresha ekzekutive e RRGK-së, Igballe Rogova, thuhet se vetëm gjatë periudhës janar-mars 2026 në Policinë e Kosovës janë raportuar 718 raste të dhunës në familje, ku mbi 80 për qind e viktimave janë gra dhe fëmijë.

Sipas Rrjetit të Grave të Kosovës, strehimoret që nga paslufta kanë ofruar mbështetje jetike për viktimat, por aktualisht funksionimi i tyre po rrezikohet seriozisht për shkak të mungesës së mbështetjes financiare.

Në reagim theksohet se, megjithëse Ministria për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare ka hapur gjatë prillit thirrjen publike për financimin e OJQ-ve që ofrojnë shërbime sociale dhe familjare, procedurat e vlerësimit dhe disbursimit të fondeve krijojnë një boshllëk kritik financiar gjatë muajit maj.

Sipas RRGK-së, kjo situatë rrezikon ndërprerjen e shërbimeve jetike për viktimat e dhunës, duke i lënë ato pa strehim, mbrojtje dhe mbështetje në momentet më të vështira.

Organizata ka kërkuar nga institucionet:

Sigurimin e një zgjidhjeje emergjente financiare për muajin maj 2026;

Krijimin e një fondi emergjent për periudhat tranzitore;

dhe ndërtimin e një modeli të qëndrueshëm afatgjatë për financimin e strehimoreve, duke përfshirë kontraktimin shumëvjeçar të shërbimeve sociale.

RRGK-ja rikujton se prej vitesh ka avokuar për krijimin e një linje të veçantë buxhetore për strehimin e viktimave të dhunës me bazë gjinore dhe trafikimit me qenie njerëzore, e cila është përfshirë në Ligjin për Buxhet që nga viti 2018.