Kurti takon përfaqësuesen e UNHCR-së, diskutohet për refugjatët dhe personat e zhdukur nga lufta në Kosovë

Kurti takon përfaqësuesen e UNHCR-së, diskutohet për refugjatët dhe personat e zhdukur nga lufta në Kosovë

Aktuale May 07, 2026 - 14:33

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pritur në takim përfaqësuesen rajonale të UNHCR-së për Evropën Qendrore, Nicole Epting.

Në fokus të takimit ishin çështjet që lidhen me refugjatët, personat e zhvendosur brenda vendit dhe personat pa shtetësi, si dhe përgjegjësia institucionale dhe ndërkombëtare në mbrojtjen e të drejtave dhe dinjitetit të tyre.

Kurti e njoftoi përfaqësuesen e UNHCR-së me politikat dhe programet e Qeverisë së Kosovës, të zbatuara nga ministritë përkatëse, të cilat sipas tij adresojnë nevojat e këtyre kategorive, përfshirë strehimin, mbështetjen sociale dhe qasjen në shërbime publike.

Në takim u theksua se trajtimi i këtyre çështjeve duhet të udhëhiqet nga parimet e të drejtave të njeriut dhe solidaritetit humanitar, duke vendosur njeriun dhe dinjitetin e tij në qendër të politikave publike.

Në fund, palët diskutuan edhe çështjen e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë. Kurti deklaroi se 1.565 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur dhe theksoi nevojën për zbatimin e plotë të Deklaratës për Personat e Zhdukur të dakorduar në Bruksel.

Ai shtoi se progresi në këtë proces varet nga hapja e arkivave nga Serbia, përfshirë ato të Brigadës së 38-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, të cilat sipas tij mbeten të klasifikuara deri në vitin 2044. /Zëri