Gaxherri: Vjosa Osmani po kthehet në shtëpinë e vet në LDK, besojmë në fitore
Besa Gaxherri nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka folur për zhvillimet e fundit brenda kësaj partie dhe mundësinë e rikthimit të Vjosa Osmani në LDK, pas mbledhjes së mbajtur dje nga kryesia dhe kryetarët e degëve.
Ajo bëri të ditur se partia tashmë ka hyrë në procesin zgjedhor, ndërsa përmendi edhe diskutimet për bashkimin me Osmanin.
“Ka pasur një takim të kryesisë dhe kryetarëve të degëve. Ne kemi hyrë tash në procesin zgjedhor dhe po i bëjmë përgatitjet tona. Është paralajmëruar një bashkim apo një kthim i Vjosa Osmanit në LDK. Kjo çështje nuk është krejt e lehtë, sepse secili veprim ka historikun e vet. Të gjithë gabojmë dhe duhet të reflektojmë. Mua më vjen shumë mirë që Vjosa ka vendosur të mendojë për këtë çështje. Nga takimet që kam me elektoratin, ata po e presin këtë bashkim dhe po thonë se ajo duhet të kthehet”, ka deklaruar Gaxherri.
Ajo theksoi se, sipas saj, Osmani duhet të rikthehet në LDK dhe të kontribuojë në krijimin e një fryme të re bashkëpunimi brenda partisë.
“Unë mendoj se, nëse dëshiron të hyjë në garë, Vjosa duhet të kthehet në shtëpinë e vet. Ajo duhet të krijojë një sinergji pozitive bashkë me Lumir Abdixhiku dhe me të gjithë ne. Duhet t’i besojmë vetes për fitore fillimisht dhe pastaj të dalim para qytetarëve, sepse ata po na mbështesin dhe e duan këtë bashkim. Kjo duhet të bëhet për Kosovën”, është shprehur ajo në Teve1.