Fillon regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës, ndërrimi i Qendrës së Votimit dhe përmirësimi i listës votuese
Sot, më 6 maj, sipas planit të aktiviteteve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të fillojnë faza të ndryshme të procesit zgjedhor, të cilat ndërlidhen drejtpërdrejtë me votuesit si brenda ashtu dhe jashtë vendit.
Duke filluar nga dita e sotme do të fillojë regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës (6 maj – 17 maj 2026), ndërrimi i Qendrës së Votimit brenda komunës (6 maj – 17 maj 2026) dhe kundërshtimi i pasaktësive në listën votuese (6 maj – 18 maj 2026).
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka treguar se shtetasit që jetojnë jashtë vendit, mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe të përzgjedhin mënyrën e votimit.
“Gjatë kësaj periudhe 12-ditore (6 maj – 17 maj 2026), të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. Në momentin e regjistrimit votuesit mund të përcaktohen individualisht për një nga tri mënyrat e votimit: (1) për të votuar fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Kosovës; (2) për të dërguar fletëvotimin përmes postës në njërën nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës apo (3) për të dërguar fletëvotimin në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë”, tha Elezi.
Për regjistrimin e votuesve, Elezi tha se KQZ ka funksionalizur platformën elektronike https://diaspora.kqz-ks.org.
Në mbledhjen e fundit të KQZ-së, të mbajtur më 5 maj, KQZ mori vendim për miratimin e listës së Qendrave të Votimit në përfaqësi diplomatike dhe caktoi numrin maksimal të votuesve që mund të regjistrohen për votim në ambasada dhe konsullata.
Sipas vendimit të KQZ-së, procesi i votimit planifikohet të organizohet në 48 përfaqësi diplomatike me gjithsej 70 vendvotime, prej të cilave 33 ambasada dhe 15 konsullata.
Ndërkaq, numri maksimal i votuesve që mund të regjistrohen për të votuar në këto Qendra të Votimit është 66,450.
Kufizimi i numrit maksimal të votuesve që mund të regjistrohen vlen vetëm për votimin në përfaqësi diplomatike, ndërkaq numri i votuesve që mund të regjistrohen për votim përmes postës është i pakufizuar.
Në rast të plotësimit të numrit maksimal të votuesve në përfaqësi diplomatike, sipas parimit të kohës së aplikimit, aplikuesi do të udhëzohet për regjistrim për mënyrat e tjera të votimit përmes postës.
Pas zgjedhjeve të vitit të kaluar, KQZ ka rregulluar çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me votimin jashtë Kosovë. KQZ ka vendosur numrin minimal prej 50 votuesish të regjistruar si kriter për organizimin e votimit në një përfaqësi të caktuar diplomatike.
“Nëse numri i votuesve të regjistruar për votim në një përfaqësi diplomatike është nën 50, votimi fizik në atë përfaqësi diplomatike nuk organizohet dhe votuesit e regjistruar do të kalojnë automatikisht në statusin e votuesve përmes postës dhe për këtë do të njoftohen nga KQZ. Ndërkaq, për shtetasit që regjistrohen për të votuar me postë, KQZ, ashtu siç ka bërë në zgjedhjet e fundit lokale dhe parlamentare, do t’ua dërgojë përmes postës pakon me fletëvotim”, tha Elezi.
Gjithashtu, duke filluar nga sot (6 maj – 18 maj 2026), do të fillojë periudha 13-ditore për kundërshtimin e pasaktësive në listën votuese.
Sipas Elezit: “çdo person me të drejtë vote që nuk figuron në Listën Votuese, është caktuar gabimisht në qendër tjetër të votimit apo ka të dhëna të tjera të pasakta, mund të kërkojë nga KQZ rishikimin e saj, përmes (1) përmes platformës elekronike https://qv.kqz-ks.org, ose (2) duke u paraqitur në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën përkatëse”.
Po ashtu, sipas tij: “gjatë kësaj periudhe votuesi mund ta kundërshtojë pasaktësinë e Listës Preliminare të Votuese edhe për ndonjë emër të votuesit për të cilin pretendon se nuk duhet të figurojë në këtë listë, përfshirë edhe rastet kur në këtë listë figuron emri i ndonjë personi të vdekur. Në këtë rast, ankesa duhet të parashtrohet në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa”, sqaroi Elezi.
Edhe në këtë proces zgjedhor (6 maj – 17 maj 2026), KQZ do t’iu mundësojë qytetarëve të Kosovës që të ndryshojnë Qendrën e Votimit vetëm brenda komunës së tyre.
Qytetarët me të drejtë vote do të mund ta mësojnë qendrën e tyre të votimit dhe nëse dëshirojnë edhe ta ndërrojnë atë, duke e caktuar sa më afër vendbanimit në komunën e tyre: (1) përmes platformës elektronike të KQZ-së https://qv.kqz-ks.org, ose (2) duke paraqitur kërkesën në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën e ku është i regjistruar votuesi. /EO