31 maji ose 7 qershori, Haxhiu ka veç 10 ditë afat ta caktojë datën e zgjedhjeve
Foto: Laura Hasani

31 maji ose 7 qershori, Haxhiu ka veç 10 ditë afat ta caktojë datën e zgjedhjeve

Aktuale April 29, 2026 - 12:31

Analisti Eugen Cakolli ka sqaruar hapat kushtetues që pasojnë shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se vendi hyn në një periudhë të kufizuar funksionimi institucional deri në zgjedhjet e reja.

Sipas tij, tashmë që Kuvendi konsiderohet i shpërndarë me efekt kushtetues, ushtruesja e detyrës së presidentes ka afat prej 10 ditësh për të caktuar datën e zgjedhjeve, pas konsultimeve me partitë politike dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, transmeton Zeri.info.

Ai thekson se zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen brenda 45 ditëve nga shpërndarja e Kuvendit, por jo më herët se 30 ditë. Megjithatë, afati 10-ditor për shpalljen e tyre nuk e ndryshon kufirin e fundit për mbajtjen e zgjedhjeve, i cili sipas tij bie më 31 maj ose 7 qershor.

Cakolli rendit edhe pasojat kryesore institucionale që prodhon shpërndarja e Kuvendit:

– Me shpërndarjen e Kuvendit, përfundon edhe mandati i Qeverisë. Nga mesnata e mbrëmshme, Qeveria konsiderohet në dorëheqje dhe veprimtaria e saj kufizohet vetëm në punë të domosdoshme dhe të planifikuara sipas buxhetit dhe planit vjetor. Ajo nuk mund të propozojë projektligje të reja, strategji apo dokumente politike, as të bëjë emërime apo marrëveshje ndërkombëtare që kërkojnë ratifikim.

– Rreth 30 projektligje që kanë qenë në procedurë parlamentare rikthehen në pikën zero, pasi procesi legjislativ duhet të nisë nga fillimi pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë së re.

– Raportet e institucioneve të pavarura mbesin pa shqyrtim, duke pezulluar procesin e llogaridhënies deri në krijimin e legjislaturës së re.

Në përfundim, Cakolli vlerëson se deri në mbajtjen e zgjedhjeve dhe formimin e institucioneve të reja – proces që mund të zgjasë të paktën tre deri në katër muaj – vendi do të funksionojë në një lloj “pauze” institucionale. /Zëri