Haradinaj: Mbrëmë ka fituar Kushtetuta, nis etapë e re politike për Kosovën
Foto: Laura Hasani

Haradinaj: Mbrëmë ka fituar Kushtetuta, nis etapë e re politike për Kosovën

Aktuale April 29, 2026 - 13:52

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se zhvillimet e fundit politike kanë shënuar një kthesë në vend, duke theksuar se “ka fituar Kushtetuta dhe ligji”.

Në një reagim publik, Haradinaj ka thënë se sipas tij është shmangur rreziku për cenimin e rendit kushtetues, duke shtuar se “ka fituar vetëdija dhe rezistenca e opinionit publik dhe faktorit politik”.

Ai ka theksuar se “nuk ka individ apo parti që mund të rrezikojë ekzistencën e shtetit”, duke vlerësuar se vendi po hyn në një fazë të re politike.

Sipas tij, pavarësisht se Kosova ka kaluar “gjashtë vjet të humbura nën këtë pushtet”, tashmë nis një etapë e re për shtetin dhe vendimmarrja i kthehet sovranit.

Haradinaj ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për tendenca autokratike, duke thënë se “është përmbysur koncepti i partisë-shtet”.

Ai ka shtuar se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka qenë bashkëpunuese për tejkalimin e krizës politike dhe ka përmbyllur reagimin me mesazhin: “Për Kosovën deri në frymën e fundit”. /Zëri