34 vjet nga pajtimi i gjaqeve te Verrat e Llukës

34 vjet nga pajtimi i gjaqeve te Verrat e Llukës

Aktuale May 01, 2024 - 08:24

Sot u bënë 34 vjet nga ngjarja e madhe për faljen e gjaqeve në Verrat e Llukës në Komunën e Deçanit.

Në këtë tubim madhështor më 1 maj 1990 morën pjesë rreth gjysmë milioni shqiptarë, me ç‘rast u falën më shumë se 100 gjaqe dhe ngatërresa ndërshqiptare.

Aksioni për pajtimin e familjeve shqiptare në hasmëri kishte nisur nga disa studentë të rajonit të Dukagjinit, ish të burgosur politikë, më 2 shkurt 1990 në Lumbardh të Deçanit.

Ky aksion u shndërrua në një lëvizje për pajtimin e gjaqeve dhe falë punës së madhe të veprimtarëve në krye me Anton Çettën kjo lëvizje gjithëpopullore arriti të pajtojë mbi një mijë gjaqe e ngatërresa ndërshqiptare.

Për të përkujtuar këtë ngjarje madhështore Komuna e Deçanit ka organizuar një ceremoni, e cila do të mbahet në ora 12:00 në të njëjtin vend.