Arifi për Kurtin: Gjyqësori s’është pjesë e tij, le ta sqarojë pjesën e dështimit për anëtarësim në KiE
Foto: Zëri

Arifi për Kurtin: Gjyqësori s’është pjesë e tij, le ta sqarojë pjesën e dështimit për anëtarësim në KiE

Aktuale May 21, 2024 - 13:13

Ish-përfaqësuesi i ekipit për bisedime me Serbinë, Avni Arifi, ka thënë se kryeministri i vendit, Albin Kurti, mendon se mund të përfitojë nga rasti i arratisjes së Enver Sekiraqës.

Sipas Arifit, kryeministri i vendit s’duhet të përfshihet në punët e gjyqësorit dhe se përmes rastit të Sekiraqës ai po bën propagandë.

“Propaganda ma e poshtër është propaganda që për të përfituar politikisht propagandon mbi dhimbjet e tragjedive njerëzore. Pesë pare nuk i jep Albin Kurti për drejtësi në rastin e Triumf Rizës. Por mendon se mund të përfitojë nga arratisja e Enver Sekiraqës. Albini duhet të dijë se gjyqësori është i ndarë nga ekzekutivi”, shkroi Arifi.

Ai ka kërkuar sqarime nga kryeministri Kurti në lidhje me, siç tha ai, dështimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Albini le të tregojë se pse i dënoi 2 milionë qytetarë të Kosovës nga anëtarësimi në KE. Këtë dështim le ta sqarojë sepse kjo është kompetencë e tij e sa i përket gjyqësorit duhet ta harrojë idenë se komisarët e tij politikë nga byroja e LVV-së do të vendosin çka është drejtësi e padrejtësi”, shkroi Arifi në profilin e tij zyrtar në Facebook. /Zëri