Me shkelje të njëpasnjëshme, Kosova shënon ditën e Kushtetutës

Me shkelje të njëpasnjëshme, Kosova shënon ditën e Kushtetutës

Aktuale April 09, 2020 - 18:56
Image

Këtë të enjte u shënua 12 vjetori i Kushtetutës së vendit, derisa vlerësohet se akti më i lartë juridik i shtetit është shkelur pothuajse nga të gjitha institucionet vendore. Derisa krerët e shtetit e uruan këtë ditë, njohësit e sistemit të drejtësisë thonë se për 12 vite Kushtetuta u shkel nga po këta liderë, përfaqësues të Kuvendit, Qeverisë si dhe Presidencës së vendit, shkruan “Zëri”

Në 12 vjetorin e Kushtetutës së vendit urime tek qytetarët përcollën pikërisht ata që e shkelën me dhjetëra herë aktin juridik më të lartë të shtetit. Derisa Presidenti i vendit, Hashim Thaçi deklaroi sot se Kushtetuta e Kosovës e shpreh më së miri qenësinë e shtetit dhe shoqërisë sonë, kreu i Qeverisë në detyrë, Albin Kurti në anën tjetër adresoi kritika për përmbajtjen e Kushtetutës së vendit. Sipas Kurtit Kushtetuta e Republikës së Kosovës lë aq shumë për të dëshiruar, që nga mënyra e hartimit e deri te mangësitë dhe pabarazitë.

“Kushtetuta është themel i Republikës vetëm atëherë kur Republika është thelb i Kushtetutës”, tha Kurti teksa u bëri thirrje institucioneve vendore që t’i respektojnë ligjet e Kushtetutës. Ndërkohë urime për këtë ditë pati edhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani, e cila citoi një pjesë të Kushtetutës së vendit e cila thotë “Sovraniteti buron nga populli dhe i takon popullit…”.

Në anën tjetër njohësit e çështjeve kushtetuese për “Zërin” deklaruan se zbatimi i Kushtetutës së vendit vazhdimisht është sfiduar nga pothuajse të gjitha institucionet kosovare, pa dallim. Sipas tyre Gjykata Kushtetuese përgjatë 12 viteve ka evidentuar me dhjetëra shkelje të aktit më të lartë juridik të vendit.

Shkeljet dhe sfidat e zbatimit të Kushtetutës përgjatë 12 viteve

Përgjatë 12 viteve prej kur është themeluar Kushtetuta e Kosovës, Gjykata Kushtetuese ka interpretuar me dhjetëra vendime të marra nga institucionet kosovare si antikushtetuese. Kjo gjykatë si shkelje të rëndë të Kushtetutës e pati vlerësuar rastin e ish-presidentit Fatmir Sejdiu me mbajtjen e dy posteve, të presidentit dhe të LDK-së. Si anti-kushtetuese ishte interpretuar edhe zgjedhja e presidentit të Kosovës Behgjet Pacolli në shkurt të vitit 2011, shkruan tutje “Zëri”. Të dy presidentët, pas veprimeve të tyre ishin detyruar të japin dorëheqje. E së fundmi shkelje të Kushtetutës u evidentuan edhe gjatë udhëheqjes së qeverisë në detyrë, nw krye me Albin Kurtin. Gjykata Kushtetuese ditë më parë vlerësoi se “Qeveria Kurti” e cila pati marrë vendim për të kufizuar lëvizjen e lirë të qytetarëve, ka shkelur Kushtetutën e vendit. Ky vendim sipas Gjykatës Kushtetuese nuk ishte në përputhje me Kushtetutën prandaj edhe të njëjtin e shpalli të pavlefshëm.

IKD: Kushtetuta është sfiduar nga shumë institucione kosovare për 12 vite

Gzim Shala nga IKD për “Zërin” ka deklaruar se Kushtetuta e Kosovës vazhdimisht është sfiduar nga institucionet kosovare. Kësisoj sipas tij përgjatë 12 viteve Gjykata Kushtetuese ka evidentuar një numër të madh të shkeljeve të këtij organi, përfshirë këtu edhe të drejtën kushtetuese për jetë. “Zbatimi në praktikë i Kushtetutës së Republikës së Kosovës është sfiduar që nga miratimi i së njëjtës, dhe ky sfidim ka ardhur nga një numër i madh i institucioneve. Në këtë drejtim, ka pasur vazhdimisht edhe aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese, që kanë konsideruar se institucionet e Republikës së Kosovës kanë shkelur kushtetutën, madje në një rast, edhe të drejtën kushtetuese për jetë”, ka thënë Shala, shkruan tutje “Zëri”.

Krahas këtyre shkeljeve, Shala thotë se shkelja e të drejtave kushtetuese vazhdon të ndodh edhe në sistemin e drejtësisë.

“Por, krahas institucioneve të tjera, shkelja e të drejtave kushtetuese vazhdon të jetë shumë e shfaqur edhe në sistemin e drejtësisë. Si shembull për këtë, krahas të tjerave, mund të marrim zvarritjet e trajtimit të rasteve si dukuri shumë prezente, e cila dukuri domosdoshmërish se shkel të drejtat kushtetuese të qytetarëve”, ka thënë tutje ai.

Mangësitë dhe ngecjet e Kushtetutës së vendit

Në anën tjetër Profesori i Çështjeve Juridike Kushtetuese, Mazllum Baraliu, vlerëson se përmbajtja e Kushtetutës së Kosovës dhe mungesa e përvojës së Gjykatës Kushtetuese si dhe me pas ndikimi politik kanë shkaktuar kriza politike në vend. “Gjykata Kushtetuese ka shkaktuar kriza politike dhe ato janë shkaktuar për arsye të ndryshme, por njëra prej komponentëve ndikues është ndikimi politik dhe interferimi i saj brenda veprimtarisë së gjykatës në një gamë apo në një gamë tjetër të veprimit”, tha Baraliu, shkruan “Zëri”.

Mangësitë që ka Kushtetuta e vendit si dokument juridik, sipas Bajraliut janë arsyet kryesore pse ky dokument shkelet vazhdimisht. “I pari dhe më i rëndësishmi është që kjo Kushtetutë është shkruar nga dora ndërkombëtare kryesisht ose është teledirigjuar nga ndërkombëtarët dhe ekspertë të ndryshëm të cilët nuk i kanë njohur as rrethanat dhe as specifikat e Kosovës sa duhet dhe si duhet, prandaj ka dispozita të cilat nuk janë sa duhet të qarta, ka dispozita që kanë dykuptimësi, ka dispozita që janë të mangëta të padefinuara sa duhet dhe si të tilla shkaktojnë probleme në interpretim dhe në të kuptuar”, thotë Baraliu.

Shkelësit e Kushtetutës, urojnë përvjetorin e saj

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi gjatë ditës së sotme ka thënë se Kushtetuta e vendit është gurëthemeli i shtetësisë së Kosovës. “Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, aprovimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 9 prill 2008, si akti më i lartë juridik, ishte e arritur tjetër për shtetin tonë, krahas njohjeve ndërkombëtare që erdhën nga demokracitë më të zhvilluara të botës”, ka thënë ai në rrjetin social “Facebook”.

Sipas tij Kushtetuta e Kosovës, shpreh më së miri qenësinë e shtetit dhe shoqërisë sonë, dhe është dokumenti më prestigjioz i ruajtjes dhe mbrojtjes së integritetit të qytetarëve tanë, të institucioneve tona, prandaj sipas tij të gjithë e kemi për obligim moral dhe ligjor ta respektojmë me përpikëri.

Në anën tjetër kryeministri në detyrë, Albin Kurti në përvjetorin e Kushtetutës së vendit adresoi kritika të shumta ndaj këtij dokumenti. Sipas tij Kushtetuta është themel i Republikës vetëm atëherë kur Republika është thelb i Kushtetutës. “Kushtetuta e shtetit i paraprinë pushtetit, ajo është si dyshemeja ashtu edhe tavani i qeverisjes demokratike dhe i funksionimit e i rregullimit institucional, por Kushtetuta e Republikës së Kosovës lë aq shumë për të dëshiruar, që nga mënyra e hartimit e deri te mangësitë dhe pabarazitë. Kushtetuta është themel i Republikës vetëm atëherë kur Republika është thelb i Kushtetutës”, tha Kurti.

Por pavarësisht mangësive Kurti theksoi se Kushtetuta e vendit duhet respektuar, njësoj sic sipas tij do të bëjë Qeveria aktuale me aktvendimin e marrë nga Gjykata Kushtetuese lidhur me masat e ndërmarra për mbrojtën nga pandemia Covid – 19. “Megjithëkëtë, kushtetutshmëria është vlerë që duhet respektuar përditë përveçse tekst betimi që shqiptohet një herë. Andaj sot me 9 prill shënojmë ditën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës në përvjetorin e saj të dymbëdhjetë. Andaj do ta respektojmë aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, që pas 13 prillit masat e ndërmarra kundër shpërndarjes pandemike të COVID-19 të mos bien në kundërshtim me ngrehinën aktuale juridiko-kushtetuese të Republikës sonë”, tha tutje i pari i Qeverisë.

Ndërsa kryeparlamentarja Vjosa Osmani theksoi se në përvjetorin e Kushtetutës së vendit duket kujtuar se ky dokument thekson se “sovraniteti buron nga populli dhe i takon popullit”.

“Në këtë përvjetor të Kushtetutës, e çdo ditë tjetër, ta mbajmë në mend, se ky akt juridik e politik i vendit tonë fillon me fjalët: “Ne, populli i Kosovës…”. Vazhdon më tej tek parimet themelore duke konfirmuar që “Sovraniteti buron nga populli dhe i takon popullit…”, tha Osmani në llogarinë e saj në “Facebook”.

Tutje ajo vazhdon me Komentarin e Kushtetutës i cili thotë se “Pacenueshmëria e sovranitetit dhe integritetit të Republikës së Kosovës, nënkupton se asnjë organ tjetër shtetëror, organizatë politike, grup dhe as individ, nuk mund të përvetësojë, pra, të cenojë apo shkelë sovranitetin e popullsisë (qytetarëve), as të vendosë pushtetin kundër vullnetit të shprehur lirshëm të qytetarëve”./ZERI