Gjyqtari Agim Kuçi suspendohet pas rastit të Enver Sekiraqës
Foto: Laura Hasani

Gjyqtari Agim Kuçi suspendohet pas rastit të Enver Sekiraqës

Aktuale May 21, 2024 - 15:36

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) njofton se ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme me dyer të mbyllura, në të cilën ka vendosur për suspendimin një gjyqtari deri në një vendim tjetër.

Burime të “Betimi për Drejtësi” brenda KGJK-së bëjnë të ditur se bëhet fjalë për gjyqtarin Agim Kuçi.

Suspendimi vjen pasi i njëjti më 3 maj 2024, pas shpalljes së dënimit me 25 vjet burgim për Sekiraqën, mori aktvendim që t’ia ndërpresë masën e arrestit shtëpiak dhe të mbrohet në liri.

Në njoftim thuhet se mbledhja e Këshillit u mbajt me dy pika të rendit të ditës: Themelimi i panelit hetimor për rastin disiplinor Nr. AD/KGJK/04/2024/GJTHPR-AD/GJTHPR/8/24 dhe Themelimi i panelit hetimor për rastin disiplinor Nr. AD/KGJK/03/2024/GJTHGJL-AD.GJTH.GJL. nr. 5/24.

“Këshilli, pas shqyrtimit dhe analizimit të dy rasteve disiplinore ka themeluar panelet hetimore. Sa i përket rastit AD/KGJK/04/2024/GJTHPR-AD/GJTHPR/8/24, Këshilli bazuar në kërkesën e autoritetit kompetent me shumicë të votave vendosi për suspendimin e gjyqtarit që është subjekt i hetimit, deri në një vendim tjetër të Këshillit”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se Këshilli vlerësoi se suspendimi i subjektit të hetimit, në këtë fazë të procedurës do të krijojë parakushte që paneli hetimor të hetojë në tërësi çështjen në mënyrë të pavarur, objektive dhe të pandikuar. /BetimipërDrejtësi