“Kemi mbet në mëshirën e Zotit”: Banorët e Shipitullës ankohen për dëme nga KEK-u, kërkojnë shpronësimin e fshatit

“Kemi mbet në mëshirën e Zotit”: Banorët e Shipitullës ankohen për dëme nga KEK-u, kërkojnë shpronësimin e fshatit

Aktuale May 21, 2024 - 14:46

Banorët e fshatit Shipitullë të Komunës së Obiliqit po ankohen për zhurmë e pluhur, që po ua shkaktojnë ekskavatorët e KEK-ut për disa vite me radhë.

Me anë të një proteste para objektit të KEK-ut, ata thonë se edhe pse kanë dërguar me dhjetëra kërkesa për shpronësimin e pronave të gjitha asnjëra nuk është marrë për bazë.

Drilon Mjeku, nga fshati Shipitullë komuna e Obiliqit, tha se prej vitit 2017 janë duke bërë kërkesa, mirëpo ende asgjë nuk është ndërmarrë.

“Arsyeja jonë është që kena ba shumë kërkesa për fshatin Shqipitullë prej 2017 jemi për Ligjin e Shpronësimit.

Askush nuk ka marrë masa ndaj neve. Absolut. U nda katuni, e kanë da katunin, e kanë bo vinë kah po dojnë vetë.

Jemi blloku, nuk ka rrugë. Tash rrugën na e prishin. E kanë blloku me shkollë, me krejt…S’ka nxënës, s’ka kurrgjë…”, tha Mjeku.

Ai tregoi se kanë bërë kërkesa por asnjëra deri më sot nuk është marrë parasysh.

“Kërkuam që të flisnim me ndonjërin, por s’na doli askush, e na e thirrën policinë. Kërkuam nga institucionet, nga të gjithë e askush nuk është marrë me ne. Kemi mbetur në mëshirën e Zotit. Katuni, ka mbet në mëshirën e Zotit. Tash edhe do ditë të prishet rruga. Atëherë duhet me shku për Sllatinë me dal në Obiliq….”, u shpreh Mjeku.

Ai ka një lutje për Qeverinë e Kosovës: “E kisha lutë ma së pari Qeverinë, po Qeveria nuk po merr masa me ne. Kisha lutë Qeverinë sa më shpejt me marrë një hap, se katundarët janë metë veç mëshirën e Zotit, kush nuk merret, i bina kërkesat, i dorëzojnë kërkesat, kush s’merret me neve, absolut.

Mjeku tha se nuk i ka mbetur ndonjë zgjidhje vetëm të dalin me familje e të protestojnë para KEK-ut.

“Na ka mbetë, ne veç me i marrë gratë e fëmijën, edhe me ardhë dhe me i qitë kauçat këtu dhe me flejtë para tyre…”.

Edhe Arsim Mjeku nga ky fshat tha se kërkesa e tyre është që të shpronësohet tërësisht fshati.

“Ne për momentin e kemi gjendjen jo të mirë në terren”, tha ai duke shtuar se ekskavatori është vetëm 140 metra prej shtëpisë, për të cilin tha se punon 24 orë.

“As nuk mundesh me flejtë natën, as mundesh me ndejt ditën, zhurma nuk na le”.

Për momentin ka me mbyllë rruga që tashti, veç kur te marrim vendimin për mbylljen e rrugës. As nuk po na zhvendosin, as kurrgjë. Kërkesa jonë është që të bëhet shpronësimi tërësisht i fshatit”, tha Mjeku. /Telegrafi