PZAP-ja anulon vendimin e KQZ-së: Nuk lejohet votimi i diasporës me dokumente të skaduara
Foto: Laura Hasani

PZAP-ja anulon vendimin e KQZ-së: Nuk lejohet votimi i diasporës me dokumente të skaduara

Zgjedhjet 2026 June 05, 2026 - 18:04

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka anuluar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për lejimin e votimit të diasporës me dokumente të skaduara.

Ata kanë thënë se pas shqyrtimit të pretendimeve të palëve, përgjigjes së KQZ-së dhe dokumentacionit, kanë vlerësuar se ankesa nga KDI-ja është e bazuar.

“Anulohet vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Nr.01/1198/2026 i datës 03.06.2026, lidhur me Miratimin e Rekomandimit për Lejimin e Votimit me Dokumente të Republikës së Kosovës me afat të skaduar të vlefshmërisë për votim në Qendrat e Votimit në Përfaqësitë Diplomatike”, thotë vendimii i PZAP-së.

“Paneli, pasi shqyrtoi pretendimet ankimore, përgjigjen në ankesë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, vendimin e kontestuar dhe shkresat e tjera të lëndës, gjeti se ankesa është e bazuar. Paneli ka gjetur se nga shkresat e lëndës rezulton se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me vendimin nr. 01/1198/2026, të datës 03.06.2026, ka miratuar rekomandimin për lejimin e votimit me dokumente të Republikës së Kosovës me afat të skaduar të vlefshmërisë për votim në qendrat e votimit në përfaqësi diplomatike”.

PZAP tutje argumentoi vendimin e saj duke thënë se “vlefshmëria e dokumentit nuk është vetëm element formal i rëndësishëm, por një kusht ligjor për identifikimin e votuesit në ditën e votimi”.

“Në këtë rast ligji nuk ka përdorur vetëm termin “dokument identifikimi”, por shprehimisht ka kërkuar “dokumente të vlefshme të identifikimit”. Prandaj, vlefshmëria e dokumentit nuk është vetëm element formal i rëndësishëm, por një kusht ligjor për identifikimin e votuesit në ditën e votimit dhe dhënies së mundësisë për të votuar”.

Paneli po ashtu ka adresuar përgjigjen e KQZ-së, duke vlerësuar se “procedura e regjistrimit të votuesve dhe procedura e votimit janë dy faza të ndryshme të procesit zgjedhor”.

“Në përgjigjen e dhënë KQZ ka theksuar se gjatë fazës së regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, ka lejuar që aplikues të caktuar të regjistrohen duke paraqitur dokumente të identifikimit me afat të skaduar. Mirëpo PZAP vlerëson se kjo rrethanë në asnjë mënyrë nuk mund të interpretohet me automatizëm si e drejtë për të votuar me dokument të skaduar në ditën e votimit. Nga procedura e regjistrimit të votuesve dhe procedura e votimit janë dy faza të ndryshme të procesit zgjedhor”./klankosova