Kurti në Podujevë premton investime miliardëshe
Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur tubimin e radhes në Podujevë. Në këtë komunë, kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, premtoi investime kapitale për këtë komunë, investime miliardëshe në mbrojtje, si dhe projekte në arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë.
Ai tha se nënat, fëmijët, veriu, ushtria dhe bujqësia do të vazhdojnë të jenë prioritete të tyre.
Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka mbajtur tubim zgjedhor në Podujevë, ku prezantoi projektet e planifikuara për këtë komunë dhe prioritetet e qeverisë së ardhshme.
Gjatë fjalimit të tij, Kurti premtoi investime në infrastrukturë dhe projekte kapitale për Podujevën, duke përmendur rrugën Podujevë-Vushtrri, hekurudhën, ndërtimin e çerdheve të reja, si dhe renovimin e banesave kolektive për rritjen e efiçiencës energjetike.
Duke folur për investimet kapitale, ai tha se synimi është që të realizohen investime miliardëshe.
"1 miliard euro për çdo vit shpenzime kapitale. 729 milionë euro vetëm vitin e kaluar. Do t’i rrisim investimet kapitale. Duhet t?i ndërtojmë 5 diga, katër hekurudha dhe 20 stadiume do t’i ndërtojmë ose renovojmë. Do të jetë vit i shpenzimeve të mëdha kapitale...", ka thënë Kurti.
Kurti premtoi investime edhe në mbrojtje. Ndërsa, në sektorin e arsimit, u zotua për rishikimin e teksteve shkollore dhe profilizimin e universiteteve.
"Do të investojmë edhe në arsim e shëndetësi. Do t’i rishikojmë tekstet shkollore. Do ta bëjmë profilizimin e universiteteve. Kemi filluar me zbatimin e bursave të mobilitetit prej 20 milionë eurosh. Sa më larg të studiosh nga vendi ku banon, aq më shumë shteti të subvencionon...", ka thënë Kurti.
Gjatë tubimit u tha se Llapi mbështet fuqishëm vizionin e Vetëvendosjes.