Kushtetuesja shpall të papranueshme kërkesën lidhur me procesin zgjedhor të 9 shkurtit 2025 për diasporën
Foto: Laura Hasani

Kushtetuesja shpall të papranueshme kërkesën lidhur me procesin zgjedhor të 9 shkurtit 2025 për diasporën

Zgjedhjet 2026 June 04, 2026 - 18:51

Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të papranueshme kërkesën e Muhamet Idrizi dhe ODA e.V, me seli në Hamburg të Gjermanisë, lidhur me çështjen e votimit të diasporës në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, ku ishte kërkuar ta kthejë rastin në Themelore për rivendosje ose në rigjykim.

Sipas Kushtetueses, ky vendim është marrë më 23 prill 2026, por u bë publik më 29 maj 2026.

Sipas kronologjisë së rastit, atëkohë Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani kishte caktuar 9 shkurtin 2025 si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta për Kuvendin e Kosovës. Ndërsa, më 29 gusht 2024, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte përcaktuar përfaqësitë diplomatike ku do të mund të votonin diaspora dhe numrin e përgjithshëm të votuesve që mund të merrnin pjesë në ato përfaqësi.

Andaj, më 9 shtator 2024, Muhamet Idrizi dhe ODA e.V, me seli në Hamburg të Gjermanisë, paraqitën padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë në Departamentin për Çështje Administrative, duke kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të këtij vendimi, me pretendimin se zbatimi i tij do të shkaktonte dëm të pariparueshëm dhe do të cenonte interesin publik.

Kërkesën në fjalë, e kishte refuzuar Gjykata e shkallës së parë, duke konstatuar se paditësit nuk e kishin konkretizuar dëmin që do i shkaktohej nga ky vendim i KQZ-së.

Ndërkaq në Gjykatën e Apelit, parashtruesit pretenduan se vendimi i shkallës së parë ishte në kundërshtim me garancitë kushtetuese dhe se nuk kishte zbatuar si duhet ligjin. Por, Apeli refuzoi ankesën ndaj vendimit të Themelores.

Pas vendimit të Apelit për këtë çështje, Muhamet Idrizi dhe ODA e.V, me seli në Hamburg të Gjermanisë, iu drejtuan Kushtetueses, me pretendimin se shkalla e dytë kishte cenuar të drejtat e tyre kushtetuese dhe garancitë që dalin nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ).

Ashtu siç thuhet në vendimin e Kushtetueses, parashtruesit pretendojnë se mospezullimi i vendimit të KQZ-së ka ndikuar në procesin zgjedhor të diasporës dhe mënyra e vetme për të korrigjuar shkeljet e të drejtave themelore do të ishte përsëritja e të gjithë procesit zgjedhor.

Sipas tyre, gjykatat nuk kishin shqyrtuar asnjë nga argumentet e tyre lidhur me kërkesën për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit dhe kështu nuk kishin parandaluar trajtimin e pabarabartë të shtetasve të Kosovës.

Sipas tyre, gjykatat nuk kishin shpjeguar pse vendimi i KQZ-së, të cilin ata e konsideronin të pavlefshëm për shkak të mangësive formale, duhej të zbatohej dhe të prodhonte pasoja juridike.

Në vendimin e Kushtetueses, thuhet se parashtruesit e kërkesës theksojë se gjykatat janë kufizuar në arsyetimin e tyre vetëm lidhur me parashtruesin e parë Idrizin, duke anashkaluar çdo pretendim që ndërlidhej me parashtruesin e dytë, i cili është person juridik.

Parashtruesit theksojnë se praktika gjyqësore ofron raste të shumta kur është pezulluar ekzekutimi i vendimeve kur palë ka qenë një person juridik, në këtë rast shoqatë, që vepron për interesin publik edhe pa qenë viktimë direkte.

Veç kësaj, parashtruesit pretenduan edhe për shkelje të parimit të kontradiktoritetit dhe të barazisë së armëve. Ata theksuan se Gjykata Themelore kishte marrë një përgjigje nga KQZ-ja, por ky dokument nuk u ishte vënë në dispozicion. Sipas tyre, ky ishte pretendimi kryesor në ankesën drejtuar Gjykatës së Apelit, por kjo Gjykatë nuk e kishte trajtuar fare, duke i vendosur ata në pozitë të pabarabartë ndaj palës së paditur.

Rrjedhimisht, Muhamet Idrizi dhe ODA e.V, me seli në Hamburg të Gjermanisë, kanë kërkuar nga Kushtetuesja që të konstatojë se aktgjykimi i Themelores dhe ai i Apelit janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe KEDNJ-në, dhe ta kthejë rastin në Themelore për rigjykim ose rivendosje.

Kurse, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se gjykatat e rregullta kishin vepruar në kuadër të ligjit, duke shqyrtuar vetëm kushtet për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit dhe duke konstatuar se nuk ishin plotësuar kriteret ligjore për masë të përkohshme.

Sipas Gjykatës, e drejta për mjete juridike nuk nënkupton domosdoshmërisht arritjen e rezultatit të dëshiruar nga palët, por mundësinë reale për të paraqitur argumentet para gjykatave kompetente.

Në përfundim, Gjykata Kushtetuese konstatoi se pretendimet e parashtruesve ishin të pambështetura dhe të paarsyetuara, dhe e shpalli kërkesën të papranueshme në tërësi. /BetimipërDrejtësi